×
  • Lajme
  • Lajme

    “Rune prapanicën se s’dihet ku ka me ju kërsitë”, dënohet kërcënuesi i Dimal Bashës

    Insajderi
    15 July 2024 - 14:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mërgimtari Bajram Isufi është dënuar me 2500 euro gjobë për kërcënimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

    Gjykatësi Isufi tha se sipas marrëveshjes për pranim fajësie, i akuzuari dënohet me 180 ditë burgim i cili dënim i zëvendësohet me 2 mijë e 500 euro gjobë.

    I akuzuari obligohet që gjobën prej 2 mijë e 500 euro ta paguajë me tri këste, për shkak të gjendjes së tij të dobët ekonomike.

    Paraprakisht, prokurori Kastriot Berisha i propozoi gjykatës ta aprovojë marrëveshjen për pranim fajësie, pasi tha se është në përputhje me dispozitat e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale.

    Prokurori shtoi se i akuzuari gjatë gjithë kohës ka qenë i përfaqësuar me mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, i ka kuptuar të drejtat, benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe vullnetarisht ka hyrë në këtë marrëveshje.

    Deputeti Basha tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.

    Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi falje për veprën e kryer dhe shtoi se kishte kërkuar falje edhe në Prokurori. Tha se veprën e kishte kryer pasi ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Isufi, avokati Shemdi Bunjaku, tha se i mbrojturi i tij ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë dhe se i akuzuari në Prokurori ka deklaruar që është involvuar në këtë çështje penale pa dashje e që më pas ka kuptuar se veprimet e tij kanë qenë ndesh me ligjin. Ai shtoi se i mbrojturi i tij kishte deklaruar se krejt kjo situatë ka ardhë si pasojë e shëndetit jo të mirë në atëkohë.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n***! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani** dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.

    Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”.  Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.

    Andaj, me këto veprime Isufi ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark