Rusia ka thënë se ka shpallur një punëtor të ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Moskë, person të padëshiruar, si përgjigje të vendimit të njëjtë të Shkupit, muajin e kaluar.
Duke e konsideruar vendimin e autoriteteve maqedonase të “paarsyetuar”, Ministria e Jashtme ruse, ka thënë se i ngarkuari me punë i këtij shteti është informuar për vendimin e Moskës që ta dëbojë këtë punëtor të ambasadës më 10 qershor.
Në deklaratë nuk është bërë i ditur emri i personit që është dëbuar dhe as kur i njëjti duhet të largohet nga Rusia.
Në muajin maj, Maqedonia e Veriut ka njoftuar se ka vendosur të dëbojë një diplomat rus “në përputhje me Artikullin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.
Bazuar në atë artikull, vendi nikoqir, në çfarëdo kohe dhe për çfarëdo arsyeje mund të shpallë një anëtar të stafit diplomatik si të padëshiruar.
Diplomati rus është shpallir person i padëshiruar më 14 maj, pasi ambasadorit rus në Shkup, Sergei Aleksandroviç Bazdikin, i është kumtuar vendimi. Ai kishte shtatë ditë afat për t’u larguar nga Maqedonia e Veriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, “arsyeja e dëbimit të diplomatit ishin aktivitetet që nuk përputhen me sjelljen që duhet të ketë një diplomat i huaj që shërben në vendin e akredituar”.
Disa shtete tjera të ish-bllokut sovjetik në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kanë dëbuar diplomatë rusë së fundmi, duke nxitur veprime të njëjta nga Moska.
Seria e dëbimeve ka nisur në muajin prill, kur Republika Çeke ka dëbuar një mori diplomatësh, për shkak të akuzave se spiunët rusë kanë qenë të përfshirë në një shpërthim vdekjeprurës në një depo municioni më 2014.
Moska është përgjigjur njëjtë dhe ka dëbuar diplomatë në shenjë hakmarrjeje.
Maqedonia e Veriut ka dëbuar diplomatë rusë edhe më 2018, në shenjë solidariteti me Britaninë, pas helmimit me agjent nervor në Angli, incident që ka shënjestruar agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal.