Drejtuesi ekzekutiv i Rostec, kompanisë shtetërore të industrisë së mbrojtjes së Rusisë, Sergey Çemezov, duke theksuar se me Turqinë po diskutojnë për të prodhuar së bashku avionin luftarak të gjeneratës së 5-të tha se “Për këtë çështje në Turqi ndodhet infrastruktura e nevojshme. Së bashku mund të krijojmë diçka të re dhe moderne.”
Çezemov, ka folur për Anadolu Agency në lidhje me sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe projektet e tjera të kryera me Turqinë.
Pasi ka shpjeguar se janë drejt fundit bisedimet teknike të Rusisë me Turqinë për sistemin S-400, ai tha se aktualisht po bisedojnë për çështjet në lidhje me financimin e S-400.
Duke vënë në dukje se çështja e financimeve po diskutohet në nivel ndërqeveritar, Çemezov është shprehur se “Në marrëveshjet ndërqeveritare vetëm qeveritë mund të japin kredi. Ministritë ruse dhe turke janë duke vazhduar këshillimet për këtë çështje.”
Ndër të tjera Çemezov ka theksuar se si Rusi janë të gatshëm të prodhojnë së bashku sistemet S-400, por se para kësaj çështjeje ka disa pengesa. Ai ka shtuar më tej se “Në Turqi ka mangësi në çështjen e ekspertëve të kësaj fushe dhe për bazën ku mund të bëhet i gjithë ky prodhim. Për arsyen se ju nuk keni patur ndonjëherë më parë një prodhim të tillë kjo iniciativë nuk do të jetë shumë fitimprurëse. Nuk është e drejtë që të kryesh investime në shuma të mëdha dhe të mos fitosh diçka. Por kjo sërish nga pikëpamja ekonomike duhet të vlerësohet nga të gjitha pikëpamjet.”
“Me Turqinë po bisedojmë për prodhimin e avionit luftarak”
Pasi ka tërhequr vëmendjen se mes Rusisë dhe Turqisë po diskutohet edhe për prodhimin e avionit luftarak të gjeneratës së 5-të, Çemezov ka bërë të ditur se Turqia ka infrastrukturën e nevojshme në këtë çështje.
Çemezov ka rikujtuar se Turqia mund të kryejë montimin e avionëve të saj dhe ka shprehur se “Si rezultat i të gjitha këtyre zhvillimeve mund të krijojmë gjëra të reja dhe moderne”.
Në lidhje me sistemet S-500 Çemezov tha se edhe ushtria ruse nuk e ka futur në inventarin saj këtë sistem, dhe se është herët për të bërë ndonjë koment në lidhje me këtë çështje.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një deklaratë ditën e enjte duke bërë të ditur se më parë nuk i kanë prodhuar jashtë vendit sistemet S-400, ishte shprehur se “Por asgjë nuk është e pamundur”.