Nënshkrimi i protokollit ndërmjet Aleancës Veriatlantike, NATO, dhe Malit të Zi për anëtarësim bart rrezikun e shtimit të tensioneve në Evropë, ka deklaruar të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
“Në përgjithësi, zgjerimi i mëtejmë i NATO-s, nga pikëpamja jonë, është në radhë të parë një proces me shenjën minus”, u ka thënë Peskov gazetarëve.
Sipas tij, zgjerimi i Aleancës, në asnjë mënyrë, nuk i kontribuon sigurisë në Evropë.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë nënshkruar të enjten në Bruksel protokollin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Ky protokoll tash i mundëson Malit të Zi statusin e vëzhguesit në Këshillin e NATO-s, kurse pas ratifikimit të tij nga të 28 vendet anëtare të Aleancës, Mali i Zi fiton anëtarësinë e plotë./REL