Bosnja tha se Rusia ka rënë dakord që t’ia shlyejë asaj borxhin e kohës sovjetike, në vlerë prej 125.2 milionë dollarësh.
Ministria e Financave e Bosnjës tha se marrëveshja e nënshkruar më 22 mars në Moskë, do ta bëjë Bosnjën republikën e parë ish-jugosllave që rikthen para të gatshme.
Shuma e plotë e parave pritet të transferohet deri në fund të majit, por koha e saktë varet nga ajo se sa shpejt do ta ratifikojë Parlamenti i Bosnjës marrëveshjen.
Në vitin 2003, Rusia ka marrë përgjegjësinë për borxhet e Bashkimit Sovjetik ndaj ish-Jugosllavisë, që llogariteshin rreth 1.3 miliard dollarë, shkruan REL.
Moska ka shlyer pjesën e borxhit me shtetet e tjera pasardhëse të Jugosllavisë, duke i paguar me mallra dhe shërbime.