
Rusia i është kundërpërgjigjur përfaqësuesve të shteteve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të cilat i kërkuan që të tërhiqet nga veprimet e fundit në Ukrainë.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, ka thënë se fjalimet e përfaqësuesve të shteteve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ishin “sulm verbal” ndaj Rusisë, raporton CNN.
“Do ta lë pa përgjigje sulmin e drejtpërdrejtë verbal ndaj nesh” tha Nebenzya.
Tutje, edhe pas hyrjes së trupave ruse në Ukrainë, ambasadori rus e ka fajësuar këtë të fundit për mos-respektimin e Marrëveshjeve të Minskut. Ai ka akuzuar edhe shtetet perëndimore për “nxitje të Ukrainës drejt konfliktit”.
Në fund, Nebenzya ka thënë se Rusia nuk lejon një gjakderdhje të re në rajonin e Donbas.
Kujtojmë se SHBA ka akuzuar presidentin rus se po e kthen botën në kohën e perandorive, teksa kanë deklaruar se veprimet e Rusisë në Ukrainë do të kenë ndikim të tmerrshëm në të gjithë botën. /Lajmi.net/