Ditëve të sotit ka arsye me bollëk për ta shtruar pyetjen nëse presidenti rus Vladimir Putin dhe miqtë e tij kanë rrjedhur mendësh. Por, një memorandum që rrodhi së fundi nga Kremlini zbulon se si udhëheqësia e qeverisë ruse janë thellë e më thellë në vrimën e lepurit se ç’e kishim kuptuar.
Nga Lauren Wolfe
Memorandumi, i publikuar nga Insider, një portal rus në ekzil, shpjegon se si Shërbimi Federal i Gardës Ruse (FSO), që është i ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë siç është Putin, do të trajtonte pushtimin e Ukrainës – ose çfarëdo lufte tjetër – nëse vjen në tokë të tyre. Përqendrohet në përgatitshmërinë psikologjike, duke u siguruar që zyrtarët e FSO-së kanë “mbështetjen morale dhe psikologjike” të nevojshme për t’i rezistuar asaj që memorandumi e quan potencialisht “sulm masiv ideologjik”. Por, ama rusët nuk janë thjesht të brengosur për propagandën e zakonshme të kohës së luftës, sikur transmetimet tinëza të radiove ose gazetave të nëntokës. Në vend të kësaj, Kremlini po vendos përgatitje për atë që e quan “infektim psikologjik të personelit” nga një armik që do t’i manipulonte përmes hipnozës – si dhe përmes fuqive të tjera të panjohura mistike dhe psikike. Memoja paralajmëron për “psi-gjenerator” dhe “aftësi hipnotike” që përdorin personelët e huaj.
Besimi në fuqi mistike është relativisht i zakonshpm në Rusi, ku rreth 20 për qind të njerëzve kanë vizituar ndofarë psikiku dhe më shumë se 60 për qind besojnë në ndofarë forme magjie. Natalia Antonova, shkrimtare me bazë në Uashington dhe eksperte e Rusisë, e cila kaloi shtatë vjet duke raportuar nga Moska, tha: “Kjo çështje e hipnozës dhe telekinezës, çfarëdo që ata po përpiqen të bëjnë, mendoj se rusët e besojnë vërtet. Shumica prej nesh ende po përpiqen të ekzistojnë në botën reale, dhe [udhëheqja ruse] jo. Ata nuk po përpiqen më”.
Frikëra të tilla shtrëngohen prej lart. Që kohë thuhet se liderët rusë, përfshirë Putinin, besojnë në misticizëm, astrologji, numerologji, dhe psikikë – si dhe kanë bindjen që sundimi i tyre mbi një Rusi më të madhe është gjë e paracaktuar nga fati. Që në vitin 1988, New York Times raportoi se “[h]oroskopët, mjekësia popullore, shërimi psikik dhe çdo lloj misticizmi zënë një vend të spikatur në shoqërinë sovjetike, pjesërisht besim, pjesërisht modë, por ama jo shaka”.
Misticizmi shkrihet me bindje më të zakonshme ortodokse ruse rreth skenareve apokaliptike dhe ndikimeve satanike. Në një ceremoni në shtator të aneksimit të pjesëve të Ukrainës, Putin përshkroi se si “shtypja perëndimore e lirisë vetiu ka marrë cilësitë e një feje: satanizëm të hapur”. Mëpastaj në tetor, qeveria ruse e ktheu justifikimin e luftës, duke pretenduar se kishte imperativ (urdhëresë) morale për të “kryer de-satanizimin e Ukrainës”. Përderisa gjuha e satanizmit nganjëherë përdoret thjesht për ekzagjerim retorik, ndonjëherë ajo mbart kuptimin e ngushtë të fjalës. Idetë konservatore ortodokse ruse të luftës shpirtërore, në të cilat Perëndimi përshkruhet si fjalë për fjalë djallëzore, janë përfshirë në fjalorin e vetë shtetit rus – dhe janë përzier me entuziazmin e vendit për pseudoshkencën psikike.
S’është gjë për t’u shqetësuar, megjithatë. Memorandumi shpalos se si FSO-ja planifikon të mënjanojë këtë lloj sulmi psikik. Taktikat përfshijnë forcimin psikologjik të oficerëve duke u treguar storje për trimërinë dhe heroizmin e kolegëve të tyre. Një mënyrë tjetër e kundërmbrojtjes ndaj infektimit psikologjik përfshin shëtitjen e oficerëve të FSO-së nëpër Korridorin e tyre të Famës dhe Historisë dhe vizita në Katedralën e Zonjës Tonë të Kazanit në Moskë – paramendueshëm, për të bërë lutje ndaj prekjes nga djalli. Do të ketë gjithashtu një lloj sistemi miqsh: “Është e nevojshme të bashkëngjitni oficerët më të zgjuar politikisht të FSO-së me ato më pak të qëndrueshmit,” thuhet në memorandum. Ose, si masë paraprake, mund të jetë e nevojshme që oficerët e cenueshëm psikologjikisht të cilët vuajnë nga “paqëndrueshmëria neuropsikiatrike” të dërgohen në një spital në këto kohë misterioze të rrezikshme. Shqetësimet rreth psikologjisë dhe moralit të oficerëve – shumë të rëndësishme në një luftë humbëse – janë përzier me shqetësime më ezoterike, siç janë sulmet psikike.
Shteti sovjetik dhe pasuesit e saj eksperimentuan me kontrollin e mendjes (siç bëri edhe ShBA gjatë Luftës së Ftohtë, duke angazhuar projekte sekrete psisike të saj). Një memorandum rus i deklasifikuar më 2019 shpaloste se si, në vitet 1980, shkencëtarët hulumtonin për perceptime mbishqisore (ESP) dhe aftësi tjera mistike. Dhe, më 2019, një revistë ushtarake ruse deklaroi se ushtarët vendasë kishin fuqi psikike – dhe që më parë edhe i kishin përdorur. Ushtarët supozohet se mësuan se si të lexonin mendimet nga delfinët telepatikë. Por nuk është e gjitha vetëm kontrolli i mendjes i dhënë nga Flipper. Autori i artikullit, një kolonel ushtrie, shkroi se ushtarët telepatikë janë gjithashtu në gjendje të bllokojnë sinjalet e komunikimit dhe të rrëzojnë kompjuterët me mendimet e tyre.
Në garën paranormale të armëve të Luftës së Ftohtë, asnjë “armë” psikike nuk ishte shumë e çuditshme për t’u marrë në konsideratë – për sa kohë që çdo gjë që shkencëtarët po përpiqeshin nuk dukej sikur ishte e lidhur me okultizmin.
Gazetarja investigative Annie Jacobsen shkroi në një libër të vitit 2017: “Nomenklatura sovjetike rreth ESP-së u rishkrua që të tingëllonte teknike, duke shkëputur kështu të gjitha lidhjet me të kaluarën okulte të ESP-së.” Telepatia? Ai u riemërua “transmetimet e sistemeve biologjike në distanca të gjata”. Psikokineza? Lëvizja e objekteve vetëm duke menduar për to quhej në vend të kësaj “emetime jojonizuese, veçanërisht elektromagnetike, nga njerëzit”.
Memorandumi i zbuluar i FSO-së shpjegon se zëvendësdrejtori i FSO-së, gjenerali Aleksandër Komov, është përgjegjës për zbatimin përfundimtar të planit sekret për të shmangur një sulm psikik nëse është e nevojshme. Komov është pjesërisht i prirur për shkencën, pjesërisht kook. Ai mori pjesë në një konferencë të organizuar vitin e kaluar nga Instituti i Kërkimeve Hapësinore të Akademisë Ruse të Shkencave për mundësinë e spiunimit të Tokës nga hapësira. Ai gjithashtu me sa duket drejton një grup këshilltarësh të pavarur që përfshin astrologë, magjistarë të zinj dhe psikikë.
Sipas memorandumit të zbuluar, ndër strategjitë e tjera që rusët besojnë se armiku mund të përdorë përfshijnë “lojëra psiko-korrektuese”, “psi-viruse kompjuterike” dhe ndikim psikologjik “kimik dhe biologjik”. Psikokorrigjimi, siç mund të them më së miri, është një pseudoshkencë që synon të “korrigjojë” zhvillimin e fëmijëve të vegjël, shpesh duke përdorur lodra, dhe mund të përfshijë psikologjinë eksperimentale. Dobia e tij për zyrtarët që janë në shënjestër të psikikëve të huaj është e diskutueshme. Insider vëren se mundësia e “psi-viruseve kompjuterike”, çfarëdo qofshin ato, nuk ka gjasa të ndikojë në Kremlin sepse oficerëve u ndalohet të përdorin celularë ose tabletë gjatë detyrës.
Pushtimi fillestar i Ukrainës u mbështet me fuqi të fortë: një ushtri prej gati 200,000 burrash të shoqëruar nga artileri serioze, tanke dhe fuqi ajrore. Ekspertët rusë u mburrën për një fitore të lehtë. Kjo u shkatërrua përballë rezistencës ukrainase dhe një mobilizim masiv në panik bëri pak për të ndryshuar rrjedhën e dështimit. Kjo mund të jetë duke kontribuar në atmosferën e fantazisë. “Me gjithë këto deluzione që kanë qenë të acaruara prej vitesh,” tha Antonova, “kur ata përballen me realitetin e ftohtë dhe të vështirë se nuk mund të fitojnë në Ukrainë, ata fillojnë të prishen mendërisht.”