Një figurë me ndikim enorm në Serbi, Aleksandar Boçan Harçenko, ambasador i Federatës Ruse në Beograd, për të dytën hera brenda javës dha mesazhe eksplicite drejtuar autoriteteve serbe rreth pranimit eventual të planit franko-gjerman, shkruan Insajderi.
Plani evropian i paraqitur që nga shtatori i vitit të kaluar, me iniciativë franko-gjermane, sipas Harçenkos, është veçse një “rrugë e tërthorë” që Serbia ta njohë Kosovën. Në rend të parë, tha ai, plani ka për synim Kosovën në OKB, si hap përfundimtar në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.
Harçenko, u shpjegon mediave dhe lexuesve serbe se “esenca” e këtij plani, “është njohja”. Sepse po qe se e pranon Beogradi këtë plan, thotë rusi Harçenko, “atëherë Kosovën e konsideron si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”, derisa shton se “atëherë Kosova ekziston si shtet”.
“Ne nuk jemi pjesëmarrës në bisedime, dhe mund të krijojmë opinion vetëm në bazë të raportimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Parlamentin e Serbisë dhe në bazë të informacioneve që ‘rrjedhin’ në media. Në mendimin tim, kjo është tenativë e Perëndimit për të gjetur rrugën e tërthorë që Serbia ta njohë Kosovën dhe që ajo të futet në institucionet ndërkombëtare, në rend të parë në OKB”, tha ai për “Novosti”, përcjell Insajderi.
Pyetur se a është plani franko-gjerman “bazë e mirë” për negociata Kosovë-Serbi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ambasadoru rus ka përgjigje ruse, “jo” thotë ai.
“Sepse plani drejtpërsëdrejti deklaron që Serbia nuk e parandalon hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Anipse Perëndimi provon ta paraqesë atë si plan për normalizimin e jo për nohje, esencialisht është njohje. Nëse shteti [serb] jep pëlqimin për anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare, atëherë Kosova në këtë rast është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, dhe si shtet anëtar të OKB-së, atëherë Kosova ekziston si shtet”.
Harçenko i cili ishte edhe pjesëmarrës i delegacionit rus në bisedimet për statusit e Kosovës, ndryshe të njohur edhe si “Treshja” (Wolfgan Ischinger, Frank Wisner, Aleksandar Boçan Harçenko”, tha se plani evropian i bazuar edhe një planin e Dy Gjermanive që Ischingeri e kishte paraqitur asokohe “ishte i papranueshëm atëherë” dhe se nuk e kupton se si diçka e ngjashme të jetë e pranueshme sot, shkruan Insajderi.
“Nuk e shoh se si diçka e ngjashme, për të mos thënë e njëjta gjë, tash po mund të shërbeka si një bazë e re për marrëveshje”, tha ai.
Pyetur se nëse përmes planit franko-gjerman arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, a do të hiqte veton Federata Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për pranim të Kosovës, Harçenko shmanget nga të përgjigjurit. “Nuk flas për gjëra që lidershipi serb, në rend të parë Presidenti, refuzon”.
Çfarë ka thënë Serbia për planin?
Me t’u paraqitur ky plan, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se i kishte shkaktuar “kokëdhëmbje” dhe se kishte “refuzuar” madje edhe ta merr si dokument.
Esencialisht, thoshte ai, përmes këtij plani i çelej rruga Kosovës për OKB.
Këtë gjë, deklaronte ai, Serbia assesi s’e pranon.
Pas tij, ishte kryediplomati serb, Ivica Daçiq, që kishte deklaruar se plani frankogjerman ishte i papranueshëm për Serbinë.
Më pastaj, ca më i zbutur, ai pati deklaruar se Serbia në raport me planin ka “tri vija të kuqe”. Jo njohjes, jo anëtarësimit të Kosovës në OKB, dhe “siguria e serbëve në Kosovë”, sipas tij, përbënin boshtin e panegociueshëm në këtë plan.
Ishte vetëm pas vizitës së “pesëshes së madhe” diploamtike, Uashington-Bruksel-Paris-Berlin-Romë, kur Vuçiq doli publikisht për të lajmëruar se Serbia e ka pranuar planin si kornizë të re të negociatave, por se “me një rezervë”, shkruan Insajderi.
Çfarë dihet gjer më tash për planin?
Plani nuk ka njohje juridike të ndërsjellë, por pranim faktik të integritetit territorial, sovranitetitn, dhe mospengim të integrimeve evropiane-ndërkombëtare të palëve.
Plani thuhet të normalizojë marrëdhëniet në bazë të Kartës së OKB-së dhe koncepteve universale si: pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial, e drejta e popujve për vetëvendosje, të drejtat e njeriut etj.
Plani jepet si një Marrëveshje Bazike që i ngjason Marrëveshjes Bazë të vitit 1972 mes Dy Gjermanive, ku palët zotoheshin të respektonin sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra tjetrës por pa njohur njëra-tjetrën./Insajderi/