Behgjet Pacolli përgjatë karrierës së tij politike i kreu dy favore të mëdha Vjosa Osmanit: Vota e tij që ajo të bëhet presidente dhe gradimi i kundërligjshëm i Prindon Sadriut. Mirëpo, këto favore s’po i ndalojnë këshilltarët e saj të sulmojnë Pacollin. Rinor Nuhiu, këshilltar i Osmanit, e ka quajtur Pacollin “biznesmen të ndikuar nga mjedisi rusofil”, pasi ky i fundit reagoi lidhur me ndalimin që iu bë Osmanit për kontroll në aeroportin e Shkupit. Për krejt këto ka reaguar sërish Pacolli, ku e ka quajtur “mosmirënjohëse” Osmanin.
Insajderi më shkurt të 2022-ës kishte raportuar për gradim të kundërligjshëm të bashkëshortit të Osmanit, Prindon Sadriut. Gradimi ishte bërë më 2019-ën nga Behgjet Pacolli në gradën diplomatike “Ministër”.
Krejt kjo ishte bërë pa rekomandimin nga Drejtori i Përgjithshëm, sikurse e parashihte ligji.
Drejtori i Përgjithshëm Albert Prenkaj, i pati dërguar letër atëbotë Pacollit duke i kujtuar se ai nuk kishte dhënë asnjë rekomandim për Sadriun.
Gazeta Insajderi, pati siguruar dhe publikuar letrën e drejtorit të përgjithshëm i cili kërkonte që Pacolli ta rishqyrtojë edhe njëherë vendimin e tij për gradimin e Sadriut. Ai e qartësonte se në asnjë formë nuk ka dhënë propozim për një gradim të tillë.
“Drejtori i përgjithshëm, në asnjë formë nuk ka ofruar ndonjë propozim për subjektin e vendimit datë. 15.07.2019”, thuhet në vërejtjen që drejtori i përgjithshëm i pati dërguar Pacolli.
Prenkaj në letrën e tij kishte përmendur transferimin, lëvizjen dhe ngritjen në detyrë të nëpunësit të shërbimit të jashtëm. Aty kishte se vendimi i takon vetëm Ministrit të Jashtëm, por mbështetur vetëm në vlerësimin drejtorit të përgjithshëm.
“1. Transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e në punësi të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtëm, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Në çdo rast, propozimi shoqërohet dhe mbështet në vlerësimin e punës të paraqitur nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i nëpunësit.
2. Procedurat e kryerjes së transformimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”.
“Vërejtje; Në lidhje me nenin 21, paragrafi 1, tek elementi: ‘…ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm…’ Drejtori i përgjithshëm, në asnjë formë nuk ka ofruar ndonjë propozim për subjektin e vendimit datë. 15.07.2019”, thuhej në letrën e drejtorit të përgjithshëm, të publikuar nga Insajderi.
Mirëpo, nderet e Pacollit ndaj Osmanit në politikë nuk mbarojnë me kaq. Pacolli ishte në mesin e 80 deputetëve që ia dhanë votën Osmanit për t’u bërë presidente. Ai, si deputet i vetëm i AKR’së, bashkë me grupin parlamentar të LDK’së votuan pro mandatit katër-vjeçar të Osmanit si e para e vendit.
Pas votimit, Pacolli dedikonte një shkrim për presidenten Osmani, duke thënë se do t’i qëndroj pas çdoherë.
“Jam i lumtur që isha në gjendje të kontribuoj sot në votimin e Presidentit të ardhshëm të Kosovës. Nuk jam një njeri i mbushur me urrejtje apo hakmarrje, mbetem konstruktiv dhe i hapur. Unë gjithmonë do të respektoj vullnetin e qytetarëve! Unë do të qëndroj pas teje, Urime Zonja Presidente”, shkruante Pacolli në ‘Facebook’.
Megjithatë, Pacolli sot bëri me dije se është hidhëruar me presidenten. Ai në adresë të Osmanit ka hedhur fjalë të rënda, sikurse “arrogante” dhe “e rritur në një mjedis ku mungon edukimi”.
“Kam qenë disa herë në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e Presidentes Osmani, edhe pse në shumicën e rasteve e kam ndihmuar. Unë besoj dhe kam thënë se skandalet e fundit të Presidentes janë rezultat i mungesës së njohurive dhe arrogancës së stafit të saj! Nëse ata vazhdojnë kështu, unë do të publikoj çdo ditë nga një shkrim, në mënyrë që publiku të kuptojë më mirë se kush është filo-rus dhe filo-serb, dhe kush është dinjitoz e kush nuk është, siç thonë ata. E unë kam shumë cka për të thëne”, ka deklaruar ai.
“Njerëzit mosmirënjohës dhe arrogantë shpesh janë rezultat i nivelit të ulët të edukatës. Individët që rriten dhe formohen në mjedise ku mungon edukimi për vlerat e respektit dhe mirënjohjes ndaj të tjerëve, shpesh vijnë nga ambiente ku këto cilësi janë promovuar pak ose aspak”, ka deklaruar ndër të tjera Pacolli.
Reagimi i tij vjen pasi njëri nga këshilltarët e Osmanit, Rinor Nuhiu, deklaroi se Pacolli është “biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil”.
“Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”.
Reagimi i tij erdhi pasi Pacolli në të njëjtën ditë tha se nuk ekziston imunitet që mundëson evitimin e kontrolleve nëpër aeroporte.
“Nuk ekziston imunitet që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan, veçanërisht me aeroplan publik ku është në pyetje siguria e pasagjerëve të tjerë dhe qe nuk jane kryer procedurat paraprake te sigurisë” dhe se “është naive të thosh se telefoni mund të klonohet telefoni ndërsa kalon në makinerinë X-ray”, deklaroi ai. /Insajderi.org/