
Mediumi Russia Today ka publikuar një artikull mbrëmë duke treguar se si presidentët amerikan admirojnë shtetin e Kosovës.
“Edhe pse gara presidenciale 2016 në SHBA është ende në fazën fillestare, pretendentët veçse i kanë përmendur luftërat e jashtme të dështuara të Amerikës”, shkruan RT, ku paraqet obsesionin e presidentëve amerikanë me këtë shtet të vogël ballkanik.
“Hillary Clinton po flet për Libinë, kur Donald Trump po e përmend Irakun. Por çfarë për Kosovën?”.
Në shkrim thuhet se veprimet e NATO-s dëmtuan drejtpërdrejt Konventën e Kombeve të Bashkuara, aktin final të Helsinkit dhe Konventën e Vjenës sepse lufta ishte krim kundër paqes, e pastër dhe e thjeshtë.
Sekretarja e SHBA-së në atë kohë, Madeleine Albright, u konsiderua si kampionia më me zë e Kosovës.
Ajo tash është përkrahësja më e fortë e kandidates demokrate Hillary Clinton.
“Për mua, familjen time dhe amerikanët kjo nuk është vetëm politikë e jashtme, është personale”, kishte thënë Clinton me rastin e emërtimit të një rruge të kryeqytetit me emrin “Bill Clinton”.
“Edhe kandidati për president, Bernie Sanders tha se e përkrah bombardimet e NATO-s në Serbi duke arsyetuar mbi baza humanitare”, shkruan artikulli.
Më tej në shkrim thuhet se shqiptarët kanë terrorizuar serbët dhe komunitetet tjera duke i detyruar ata të ikin nga shtëpitë e tyre.
Jugosllavia është akuzuar për spastrim etnik dhe gjenocid derisa bombat u hodhën mbi ura, trena, spitale, shtëpi dhe kamionë refugjatë./Insajderi.com