
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, që po synon edhe një mandat, ka premtuar se do të investojë gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike për në bjeshkë dhe mbi 200 mijë euro për të kompletuar ndriçimin SMART në të gjitha lagjet e mbetura të Junikut.
Shehu ka thënë se kështu po krijohen parakushtet për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi përmes bjeshkëve të Gjeravicës.
“Rrugën e bjeshkës e përfunduam. Po ashtu edhe Master-Plani për bjeshkët është përfunduar. Tani me radhë do të investojmë rreth gjysmë milion euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike për në bjeshkë. Në këtë mënyrë po krijohen parakushtet për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi përmes bjeshkëve të Gjeravicës. Kur jemi te elektrifikimi, në mandatin e parë kemi vendosur ndriçimin SMART për herë të parë në Junik. Ndërsa në mandatin e dytë do të investojmë edhe mbi 200,000.00 euro të tjera për të kompletuar ndriçimin SMART në të gjitha lagjet e mbetura të Junikut”, ka shkruar Shehu.