
Debati për zgjedhjet lokale në Junik është shoqëruar me akuza të rënda mes kandidatëve për kryetar. Kandidati i AAK-së, Agron Kuçi, ka akuzuar kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu, për uzurpim të pronës komunale.
Gjatë debatit televiziv “Debat Pernime” në Kallxo, Kuçi prezantoi pamje dhe dokumente, duke thënë se Shehu ka uzurpuar hapësirë publike në sheshin qendror “Edmond Hoxha” në Junik, pranë objektit të një banke.
“Kryetari Shehu tha që i ka dërguar tek organet kompetente uzurpimet e pronave komunale pa leje, por do të kishte qenë shumë më e ndershme e moralshme nga ana e tij që së pari ta largonte uzurpimin e vet, atë të pronës komunale që e ka në sheshin qendror. Pikërisht atë e ka uzurpuar kryetari Shehu”, tha Kuçi.
Në anën tjetër, Shehu e pranoi pjesërisht se ka një uzurpim të kanalit që ndodhet nën tokë, por theksoi se bëhet fjalë për një shfrytëzim të përkohshëm të një parcele të vogël, të marrë me leje në vitet ’90.
“Aty është një objekt i përkohshëm që kam marrë leje në atë kohë në Pejë. Është ndërtuar në vitin 1996 nga disa emigrantë që kishin ardhur nga Mali i Zi dhe deshën të vendosnin kioska. Unë e kam marrë në shfrytëzim të përkohshëm një parcelë shumë të vogël dhe kam paguar taksa komunës për 40 vjet. Pjesërisht ka një uzurpim të kanalit, por është nën tokë dhe do të trajtohet me kompetencë”, tha Shehu.
Pas këtij sqarimi, Kuçi reagoi duke thënë se lejet e dhëna në atë periudhë janë tregues i mungesës së moralit politik.
“Në vitet 1996-1997 neve shqiptarëve na përzunë nga shtëpitë dhe na vranë, ndërsa Shehu ka marrë leje për uzurpim prone. Kjo tregon për moralin e tij”, deklaroi ai.
@kallxo.com “E ka uzurpuar pronën publike në qendër të Junikut” – Agron Kuçi pretendon se kryetari ka uzurpuar pronën publike | Ruzhdi Shehu: Pjesërisht ka uzurpim të kanalit, por është nën tokë”
♬ original sound – Kallxo.com