
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka përmbyllur fushatën zgjedhore me një mesazh falënderues, duke theksuar se qytetarët tashmë e kanë konfirmuar fitoren e LDK-së pa nevojë për balotazh.
Përmes një postimi në Facebook, Shehu ka falënderuar bashkëvendasit dhe mërgatën junikase për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë gjithë fushatës, duke vlerësuar lart pjesëmarrjen masive në aktivitetet e fundit.
Shehu, i cili njihet për angazhimin e tij afatgjatë në shërbim të komunës, ka theksuar se ndjehet thellësisht mirënjohës për këtë përkrahje dhe e sheh atë si një obligim për të vazhduar punën me përkushtim edhe më të madh në të ardhmen.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të dashur bashkëvendas,
E dashur mërgatë e Junikut,
Gjithë jetën time i kam shërbyer Junikut me nder dhe përkushtim. Mirëpo për mua nuk ka krenari më të madhe sesa kur shoh bashkëvendasit e mi kaq të bashkuar rreth vizionit të LDK-së për Junikun.
Sot ju e konfirmuat përfundimisht fitoren tonë pa balotazh. Mbi 700 junikas pjesëmarrës në koktelin e falenderimit të organizuar nga LDK dega në Junik.
Për mua është emocion i veçantë kur e shoh që Juniku njëzëri e konfirmon fitoren e LDK-së. Faleminderit 113 herë për përkrahjen tuaj kaq të madhe. Përherë dhe gjithë jetën do të jem në shërbimin tuaj, me mirënjohje për secilin junikas pa dallim, me faqe të bardhë dhe zemër të hapur për Junikun tonë.
Nesër pas procesit zgjedhore, të gjithë junikasit pa dallim, i ftojmë të bashkohen në festën më të madhe në historinë e Junikut, për fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës.