Ylli i boksit Ryan Garcia është arrestuar në Los Angeles të shtunën pasdite për vandalizëm në hotelin “Walford Astoria” në Beverly Hills, raporton “TMZ”.
Boksieri është dërguar në paraburgim pasi dëmtoi pronën e hotelit, përfshirë dhomën ku po qëndronte dhe hollin, raporton mediumi amerikan.
TMZ ka thënë se Garcia ishte nën “ndikim të alkoolit apo drogës”, por shtoi se ai bashkëpunoi gjatë arrestimit.
25-vjeçari Garcia mposhti Devin Haneyn në prill të këtij, por sjellja e tij para meçit ngriti shqetësime për shëndetin e tij mendor. Garcia po ashtu doli pozitiv në teste dopingu që ishin bërë para meçit. Garcia triumfoi me vendim unanim ndaj Haneyt duke e rrëzuar atë tri herë.
TMZ ka njoftuar se Garcia ishte vizituar nga policia edhe më herët gjatë javës në hotelin në Beverly Hills pas telefonatës që bëri një anëtar i shqetësuar i familjes. Policët vlerësuan se ai ishte në rregull.
Garcia në rrjete sociale të mërkurën kishte njoftuar se nëna e tij po lufton me kancer të gjirit.