Gjykata e Tenderëve ka vendosur në listë të zezë “Lurimi Sh.p.k,”, pasi dyshohet se ka mashtruar me dokumente. Kjo kompani në një tender të Agjensionit Pyjor te Kosovës, ka përdorur emrat e personave që nuk janë pjesë e kësaj kompanie duke i renditur si pjesë e stafit. “Lurimi” është biznes nga Shqipëria, edhe atje nuk ka një imazh të mirë.
Gazeta Insajderi
Në një tender të Agjensionit Pyjor te Kosovës, ishin bërë bashkë dy kompani një nga Kosova e tjetra nga Shqipëria.
Kompania “Lurimi”, kishte bërë çmos për të dal fitues. Ky biznes së bashku me atë të Kosovës “Eco Forest”, përdoren emra të personave që nuk janë pjesë e stafit të tyre. Kjo u bë për të kamufluar se kinse i përmbushin kriteret e parapa për të fituar tenderin.
Si pjesë e stafit u vendosen dy inxhinierët, Dhimiter Peçi dhe Ariol Lila. Por, që gënjeshtra i doli shpejt në pah, pasi të dy të lartpërmendurit mohuan se janë pjesë e stafit “Lurimi”.
Pas kësaj, Agjencia Pyjore, ka ushtruar ankesë në OSHP, ndaj OE Eco Forest&Lurimi Sh.p.k.
Vendimi i OSHP-së për kompaninë nga Shqipëria
Organi Shqyrtues i Prokurimit, vendosi që të mos merret me kompaninë nga Kosova, pasi dëshmitë e prezantuara që dolën mashtrim, i takonin asaj nga Shqipëria.
OSHP, dënoi Lurimi Sh.p.k. duke vendosur në listën e zezë për nëntë muaj. Ky vendim thuhet se është marrë pasi ekziston dyshimi i bazuar se kjo kompani ka mashtruar me dokumente.
“Paneli shqyrtues, vlerëson se janë plotësuar kushtet për zbatim te nenit 99 paragrafit 2 te LPP-se, për marrjen e masave eventuale sipas nenit te cituar me lart, sepse veprimet e operatorit ekonomik pas dorëzimit te ofertave sanksionohen me dispozitat e neneve te përmendura me lart. Andaj, paneli shqyrtues vendos qe OE Lurimi Sh.p.k, te vendosen ne listën e zezë ne kohëzgjatje prej nëntë muaj“, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Por, që nuk është hera e parë për këtë kompani që përmendet për skandale.
Ryfshet e korrupsion, për çka është e njohur kompania që hyri në listën e zezë
Kompania “Lurimi”, në Shqipëri, nuk ka një histori të mirëfilltë.
Kompania në fjalë është në pronësi të Grisilda Miftari, por që është themeluar dhe drejtuar nga babai i saj, deri gati tre vite më parë.
Lutfi Miftari ia ka dhuruar kompaninë “LURIMI” shpk së bijës kur mori detyrën si drejtor i IKMT për Qarkun e Dibrës. Pas disa muajsh në detyrë, ai u arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën akuzat e korrupsionit dhe kompaninë e drejton e bija.
Në cilësinë e Drejtorit të IKMT, ai u arrestua se kishte abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet./Insajderi.org/