Sa harxhoi Vjosa Osmani me kabinetin e saj për dy vite? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sa harxhoi Vjosa Osmani me kabinetin e saj për dy vite?

    Insajderi
    04 April 2023 - 23:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më katër prill 2021, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës. Dreka, darka, bileta akomodime e karburant – në këtë tekst do të njoftoheni me shpenzimet përgjatë kësaj kohe. Si u rritën ato gjatë vitit të dytë të udhëheqjes së saj?

    Tash e dy vite, Vjosa Osmani, dikur deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, udhëheq Presidencën e vendit. Këtë pozitë, e fitoi falë koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Me të ardhur në pushtet, zyra e saj kishte nisur një praktikë të publikimit të shpenzimeve në faqen zyrtare.

    Sa harxhoi në vitin 2021?

    Të paktën, sipas asaj që janë publikuar në faqen e Presidencës së Kosovës, Osmani dhe kabineti i saj në vitin e parë të punës kishin shpenzuar 35 mijë e 863 euro në bileta.

    26 mijë e 171 euro ishin harxhuar në akomodim, ndërkaq rreth 2 mijë e 714 në dreka e darka. Ndërkohë, sipas të dhënave, 5 mijë e 164 ishin paguar për karburant.

    Në total, del se në vitin e parë në Zyrën e Presidentit, Osmani dhe kabineti i saj kanë shpenzuar rreth 69 mijë e 912 euro.

    Më shumë shpenzime në vitin 2022

    Shpenzimet e zyrës së presidentes, sipas të dhënave të publikuar nga vet këta, ishin rritur dukshëm në vitin e dytë të udhëheqjes së saj, pra në 2022.

    Fillimisht, ishin publikuar shpenzimet në periudhën janar-qershor, më pas korrik-dhjetor.

    Kur mbledhen të dy pjesët e vitit, del se presidenca kishte shpenzuar 51 mijë e 563 euro në akomodim, 87 mijë e 899 euro në bileta dhe rreth 18 mijë e 185 euro në derivate.

    Të dhënat tregojnë që 8 mijë e 692 euro janë shpenzuar në dreka.

    Ndërkohë, si shpeznime protokollare për Javën e Gruas, ishin shënuar rreth 1 mijë e 58 euro, ndërkaq në pjesën e dytë të vitit për organizime protokollare ishin shpenzuar 15 mijë e 86 euro. Në total, këto bëjnë 16 mijë e 144 euro.

    Gjithsej, kur mbledhen del se presidenca ka shpenzuar 182 e 496 euro në vitin 2022.

    Forumi

    Gjatë vitit që lamë pas, presidentja Osmani kishte organizuar edhe Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që i kishte kushtuar këtij institucioni gati 200 mijë euro.

    Gazeta Nacionale përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, nga Zyra e Presidentes kishte mësuar se Forumi kushtoi plot 194 mijë e 211 euro.

    Nga ky institucion, na ishte bërë e ditur se shpenzimet ishin ndarë mes dy organizatorëve, pra mes Zyrës së Presidentes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Zyra e Presidentes ka paguar 133 mijë e 544 euro, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbuloi shpenzime në vlerë të 60 mijë e 667 euro.

    Nga biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve, e deri te dekorimi i sallave, për të gjitha këto çështje, mjetet ishin mbuluar nga institucionet e Kosovës.

    Më poshtë, gjeni edhe listën e plotë se për çfarë u paguan afër 200 mijë euro:

    -Biletat e disa të ftuarve nga jashtë dhe panelistëve

    – Shërbime të përkthimit

    – Shërbime të zërimit

    – Dhurata dhe shërbime protokollare

    – Vetura me qira dhe shërbime të tjera të transportit

    – Shërbime të PR-it, përfshirë blerja e domain-it, dizajnimi, mirëmbajtja dhe histong-u i uebfaqes, shërbimet e brendingut/dizajnimit të konceptit kreativ të Forumit, dizajnimin dhe printimin e të gjitha materialeve promovuese

    – Furnizim me flamuj

    – Shërbime të binave

    – Shërbime të ndriçimit

    – Akomodim të të ftuarve nga jashtë

    – Dreka dhe darka gjatë Forumit

    – Shërbime të printimit për materialet gjatë forumit

    – Sallat e takimeve dhe hapësirat në të cilat janë organizuar sesionet e Forumit

    – Dekorimi i sallave


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark