Në Kosovë prej shumë vitesh mbahen disa festivale të mëdha, siç janë “Sunny Hill Festival”, “Dokufest”, “Hardh Fest”dhe së fundmi “Max Fest”. Këto festivale janë shndërruar në aktivitete ekonomike, për shkak të prurjes së turistëve, por edhe përfitimeve të bizneseve të vogla e të mesme dhe strukturave akomoduese. Shumica e bujtinave të hoteleve janë të mbushura me turistë nga vende të ndryshme të botës. Këto festivale po vlerësohen pozitive, si për promovimin e vendit dhe kulturës, ashtu edhe për ekonominë.
“SUNNY HILL” është festivali më i madh muzikor në Kosovë, ndoshta më i madhi në Evropën Juglindore. Vetëm gjatë edicionit të fundit janë shitur mbi 25 mijë bileta. Numri i shumtë i shitjës së biletave dhe kolonat e gjata të njerëzve tregojnë qartë se ky organizim madhështor ka sjellur mjaft përfitime për gastronominë kosovare. Vetëm në fesitvalin e vitit 2019 janë gjeneruar 23 milionë euro për imazhin e vendit dhe së paku 10 milion euro për ekonominë e Prishtinës. Rreth 50% e pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga 40 vende të ndryshme të botës.
Përfitime të mëdha janë sjell mjaft shumë edhe për qytetin e Prizrenit nga festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “Doku Fest”, i cili mbushë kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filma nga e gjithë bota. Sipas producentës së festivalit, Alba Çakalli gjatë edicionit të fundit kanë marrur pjesë rreth 50 mijë vizitorë gjatë nëntë ditëve të festivalit. Në pamundësi të kapaciteteve të hoteleve DokuFest bashkëpunon edhe me pronarë të shtëpive private, të cilët i mirëpresin mysafirët. Organizatorët iu rekomandojnë turistëve edhe restorante, kompani te taksive si dhe agjensione të fluturimit për kordinim të mysafirëve. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), vetëm në gushtin e vitit të kaluar deklarimi i qarkullimit të bizneseve të Prizrenit ka regjistruar një numër rekord me rreth 79 milionë euro. Ndërsa, nga të hyrat për bileta mund të thuhet se 14 mijë vizitorë kanë vizituar së paku 1 aktivitet të festivalit (shfaqje e filmit dhe muzikë).
Poashtu, edhe gjatë kohës së vjeljes së rrushit rrugët e Rahovecit mbushen përplot turistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Evropës gjatë mbajtjes së festivalit ‘’Hardh Fest’’. Sipas drejtorit të festivalit, Agron Sokolit vetëm gjatë edicionit të fundit Hardh Fest ka mirëpritur 100 mijë vizitor. Ekonomia e Komunës së Rahovecit gjatë mbajtjes së festivalit rritet diku rreth 3 milionë euro. Në edicionin e fundit të festivalit kanë marrur pjesë mbi 40 biznese vendore. Për tre ditë e tre net sa ka zgjatur festivali, ‘Hardh Fest’ vitin e kaluar ka shënuar edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, verëtar, trashëgimi kulturore dhe art.
Anderina Palushi nga kabineti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, ka thënë se festivali më i madh jo komercial në Kosovë “Max Fest” i mbajtur pak ditë më parë ka pasur prezent rreth 15 mijë persona. Në rrugën “George Bush” ku u mbajt festivali janë vendosur shtëpiza të shumta të cilat i freskonin qytetarët. Gjatë tri ditëve ka pasur aktivitete të ndryshme duke filluar nga panairi i turizmit, deri te megakoncertet për të gjitha grupmoshat.
Benefitet e festivaleve janë të shumta e sidomos ato ekonomike mbi të cilat përiftojnë shumë gastronomë të vendit, duke filluar nga bizneset e vogla e të mesme deri të strukturat akomoduese. Evenimentet e tilla sjellin edhe rritje të çmimeve, por në këto rast efektet janë pozitive për ekonominë e vendit. Nisur nga ajo që u tha më lart, Ministria e Kulturës dhe Komunat duhet të iu japin më shumë mbështetje dhe përkrahje festivaleve pasi që nga to ka një rritje ekonomike të madhe.
Shkruan: Kimete Hoti