Njëherë 20 milionë e pastaj 29 milionë euro janë parët që grupi i Kadri Rexhepit e Rrahim Hashimit po prisnin nga fondi “Vendlindja thërret” në Amerikë, për t’ia kthyer biznesmenit Faton Dalladaku, të cilit iu kishte dhënë me premtimin se këta të fundit do t’i ndihmonin me bizneset e tij. Më konkretisht për ndërtimin e Spitalit në Prishtinë.
Kështu të paktën ka thënë Faton Dalladaku në rrëfimin e tij për InDoks. Për milionat që po prisnin nga Fondi “Vendlindja Thërret”, Dalladaku thotë se i tregoi Kadri Rexhepi.
“Në incizime ka, Kadri Rexhepi i përmend. Fillimisht janë kanë disa, mandej 20 mandej 29 milionë. Unë pak kam besu, mirëpo thosha mos po derdhet pak mjete atëherë ti tërheq të mijat dhe ti bllokojë po fatkeqësisht nuk ndodhi”, rrëfeu ai për InDoks.
Sipas tij grupi i Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepi prisnin para nga ky fond.
“Prej vitit 2011 siç e ceka edhe më herët fillova të ju jap mjete të gatshme grupit të Kadri Veselit, Rrahim Hashimit dhe Ekrem Likës dhe kjo vazhdojë edhe në 2012-ën. Kinse ata pritshin mjete prej diku “Vendlindja thërret”, në Amerikë sot a nesër me mi kthy mjetet por edhe mjetet e veta sepse planifikojshin në shtator në zgjedhjet e parakohshme, shumë interesant është – u përputheshin gjërat”, deklaroi ai.
Ndërkohë, hedh akuza të rënda ndaj PDK.
“Dhjetë vjet i kanë fsheh ato pare, tash po i merr PDK-ja, pare ilegale më thoshin edhe ju kam thënë nuk pranojë pare ilegale dhe më kanë bind smundesh me pas ti pare ilegale nëse i ki bank duhesh me pagu tatim për ato pare mi rujt”, sqaron tutje ai.
Por sa para, sipas Dalladakut ia ka marrë grupi i Rrahim Hashimit me Kadri Rexhepin?
“Sipas dokumentacionit që e kam dorëzuar në gjykatë Rrahim Hashimin për pare të gatshme po flas pa kolaterale, pa hipoteka vec pare të gatshme sikur që e keni parë në kamera ato 50 mijëshet janë 800 mijë euro. Gjenë arsyetime për gjithçka. Kur i kam dhënë mjetet, paret që i kam dhënë p.sh 800 mijë menjëherë, 5 mijë, 10 mijë , 20 mijë për atë është mbledh krejt shuma se çdo herë i kam regjistru këtë, mbi 800 mijë dikun 800 e 40 e diçka mijë euro”, thekson Dalladaku. .
Pas shumë kohe e procesesh gjyqësore, Gjykata Supreme në fund vendosi që të binin akuzat për mashtrim kundër Kadri Rexhepit e Rrahim Hashimit, për videot që janë bërë nga Dalladaku e ku ata shihen në to duke marrë shumë para.
Në vendim Gjykata Supreme kishte konstatuar se në këtë çështje penale kishte arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale, meqenëse për veprën penale për të cilën është dënuar Kadri Rexhepi maksimumi i paraparë ligjor është pesë vjet, çka sipas tyre, e bën pretendimin e mbrojtësve të bazuar.
Dokumentari i plotë: Rrëfimi i Faton Dalladakut – Viktima e ‘Currit’, ‘Apexave’ dhe të tjerëve