Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri kundërshton raportimet për boshatisjen e bregdetit shqiptar, duke theksuar rritjen e numrit të turistëve kosovarë dhe të huaj.
Sipas Erjon Ukës, këshilltar për media i ministrit, nga janari deri në korrik 2024, Shqipërinë e vizituan 1.7 milionë kosovarë, që ka rritje me vitin e kaluar.
“Për sa i përket vizitorëve nga Kosova, ata vijojnë të mbajnë vendin e parë me 1,7 milionë vizitorë në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, ose +25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, ka deklaruar Uka.
Në të njëjtën periudhë, vendi u vizitua nga 4.5 milionë turistë të huaj, u shpreh ai.
“Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, Shqipërinë e kanë vizituar 4,5 milionë vizitorë të huaj ose +34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
“Në lidhje me pyetjen tuaj mbi trendet e flukseve turistike, jo vetëm që nuk ka ulje të numrit të vizitorëve të huaj por përkundrazi, çdo grup është në rritje qoftë nga vendet të cilat prej vitesh janë të konsoliduara (si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut), qoftë edhe me trendet e reja të turizmit siç mund të jenë Spanja, Holanda etj”, tha Uka për Insajderin.
Në tre muajt e parë të 2024, turizmi shqiptar gjeneroi 788 milionë euro të ardhura, një rritje prej 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një raporti të Komisionit Evropian për Udhëtimet.
“Rritja e flukseve turistike është në të njëjtën linjë edhe me të ardhurat në ekonomi nga turizmi, ku për tre muajt e parë të 2024 ekonomia shqiptare ka përfituar 788 milionë euro nga sektori i turizmit (shifra më e lartë ndonjëherë krahasuar me T1 të viteve të kaluara) ose +41% të ardhura neto nga ky sektor. Një fakt i tillë, u konfirmua edhe pak ditë më parë nga raporti i Komisionit Europian për Udhëtimet në analizën e tij mbi perspektivën e aktivitetit turistik përgjatë këtij viti në Europë, ku Shqipëria përgjatë 6 mujorit të parë të këtij viti renditet e para për numrin e vizitorëve krahasuar me shtetet e tjera të Europës”, potencoi ai për Insajderin.
Përsa i përket plazheve më të frekuentuara, Uka thekson se secila zonë e Shqipërisë, nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, ofron mundësi të larmishme turistike që i përshtaten të gjitha kërkesave.
Ai shtoi se autoritetet kujdesen për transparencën në çmime dhe shërbimet.
“Në çdo plazh të Shqipërisë nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, ka një ofertë turistike të larmishme dhe të përshtatshme për të gjitha kërkesat, qofshin këto të një natyre ekonomike apo të një standardi të lartë luksoz, ndërkohë autoritetet kujdesen që në të gjitha rastet të respektohet transparenca në çmime dhe shërbimi kundrejt faturës tatimore për çdo transaksion”.
Për më tepër, ata kanë ofruar edhe statistika për gjashtë muajt e parë të vitit: numri më i madh i vizitorëve është nga Kosova, pasuar nga Italia, Mali i Zi dhe vende të tjera.
Disa shifra për gjashtë muajt e parë janë: “Kosovë 1.7 milionë (+25%), Mali i Zi 337 mijë (+22%), Itali 486 mijë (+57%), Angli 132 mijë (+69%), Spanjë 37 mijë (+50%), Poloni 103 mijë (+74%), SHBA 81 mijë (+28%), Francë 74 mijë (+93%), Turqi 130 mijë (+61%), Rumani 34 mijë (+91%), Holandë 45 mijë (+91%), Serbi 50 mijë (+55%), Kinë 10 mijë (+131%)”, bëjnë me dije nga ministria për Insajderi.
Ndërkohë, ai shtoi se përsa i përket të dhënave të tjera ekonomike, një analizë e tillë bëhet në fund të vitit turistik.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, rritja absurde e çmimeve të hoteleve dhe restoranteve, strategjikisht vetëvrasje.
Rama u shpreh se, “në Vlorë dhe në Sarandë ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është, jo vetëm e padrejtë, se mbase në kushtet e kapitalizmit fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë nuk e perceptojnë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të komunikohet dhe të flitet që rritja e palogjikshme E çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër”.
/Insajderi