Sa po shpenzon Rusia për luftën në Ukrainë? - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Sa po shpenzon Rusia për luftën në Ukrainë?

    Insajderi
    15 June 2022 - 09:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Federico Giuliani

    Gjatë muajit prill, Rusia shpenzoi mbi 300 milionë dollarë në ditë për mbrojtjen, ose rreth 280 milionë euro, për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas asaj që u zbulua nga “MoscowTimes”, që citoi të dhëna nga Ministria ruse e Financave, krahasuar me periudhën e paraluftës, kjo shumë është dyfish më e madhe,

    Në përgjithësi, që nga 24 shkurti 2022 dhe deri më sot – pra që nga fillimi i të ashtuquajturit “operacion ushtarak special” – shpenzimet për mbrojtjen në Rusi janë rritur çdo muaj. Në shkurt, shifra ishte rreth 5.1 miliardë dollarë (rreth 369 miliardë rubla).

    Në mars pati një tjetër rritje, dhe shpenzimet arritën në 6.2 miliardë dollarë (450 miliardë rubla). Ndërkohë muaji prill, mbetet tani më i kushtueshmi, me 8.7 miliardë dollarë që kanë “avulluar” për shkak të shpenzimeve të luftës.

    Për më tepër, shpenzimet në mbrojtje të investuara nga Rusia në prill, ishin më shumë se dyfishi i periudhës së paraluftës. Kështu në janar ato ishin rreth 3.2 miliardë dollarë (233.7 miliardë rubla). Në prill 2021, kjo shifër ishte 275 miliardë rubla.

    Sa shpenzon Rusia për mbrojtjen

    Është e rëndësishme të theksohet se shuma e shpenzuar nga Rusia për mbrojtjen që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkallë të gjerë, është e barabartë me trefishin e shumës së shpenzuar për arsimin (517 miliardë rubla), më shumë se dyfishi i fondit të dhënë për sistemin shëndetësor (615 miliardë rubla) dhe 10 herë më shumë se paratë e shpenzuara për ruajtjen dhe menaxhimin e mjedisit (167 miliardë).

    Siç llogarit në një artikulli “Moscow Times”, konflikti në Ukrainë po harxhon me gati 1 miliardë rubla në orë paratë e taksapaguesve rusë. Në prill, Moska shpenzoi 628 miliardë rubla për “mbrojtjen kombëtare”. Mesatarisht, në 3 muajt e luftës aktuale, makineria ushtarake ruse ka gllabëruar 21 miliardë rubla në ditë.

    Problemi është se kostoja e luftës vazhdon të rritet, në një kohë që ofensiva e forcave të Kremlinit duket se ka ngecur. Duke analizuar muajt e fundit, në muajin shkurt, në sfondin e përgatitjes së fushatës ushtarake, transferimit të pajisjeve dhe forcave përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, shpenzimet u rritën me 136 miliardë rubla krahasuar me janarin, duke arritur në 369 miliardë. Kur lufta hyri në fazat e saj më të nxehta, këto shpenzime u rritën me 81 miliardë rubla të tjera, në 450 miliardë në mars, dhe 178 miliardë rubla të tjera në prill.

    Kostoja e luftës në Ukrainë

    Duke mbledhur shpenzimet e ndryshme, rezultoi se  në periudhën midis janarit dhe prillit, Rusia shpenzoi rreth 1.681 trilion rubla për pajisjet ushtarake. Megjithëse Thesari i Rusisë,  vazhdon të marrë një fluks të ardhurash nga taksat mbi mallrat në shumën prej mbi 1 trilionë rublash në muaj – dhe embargoja e naftës nga BE është ende e largët – një rritje e fortë e shpenzimeve ushtarake dhe një ekonomi në tkurrje do të krijonin disa probleme.

    Në fakt, në prill Ministria e Financave regjistroi deficitin e parë të këtij viti: të ardhurat në buxhet ishin 262.3 miliardë rubla më të ulëta se sa shpenzimet. Në total deficiti i Thesarit mund të jetë rreth 1.6 trilionë rubla.

    Sipas një vlerësimi tjetër, Rusia është e detyruar të shpenzojë 900 milionë dollarë në ditë për të ushqyer makinerinë e saj ushtarake. Revista amerikane “Newsweek”, thekson se kjo shumë përfshin zëra të ndryshëm, duke përfshirë pagesën e ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë; furnizimin me municione, plumba dhe raketa për vetë ushtarët; por edhe koston e riparimit të pajisjeve ushtarake të shkatërruara ose të dëmtuara. Por Rusia duhet të paguajë edhe për mijëra raketa që po përdor gjatë luftës. Kostoja e tyre? Duket se është rreth 1.5 milion dollarë secila. / Il Giornale – Bota.al


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark