Kultura e kultivimit të kanabisit brenda ambienteve të mbyllura ka ardhur edhe në Shqipëri, ku rastet e shtëpive të barit janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Ky shqetësim u ngrit në studion e Debatit në A2 CNN nga avokati Bledar Meminaj dhe gazetarët Ervin Koçi, Eni Ferhati dhe Juli Kasapi.
Gazetari Eni Ferhati deklaroi se në vendin tonë janë aktualisht 30 shtëpi bari, në zona të ndryshme të vendit, por edhe në vende të braktisura.
“Shtëpitë e barit në Shqipëri janë rritur gjatë vitit të fundit. Janë mbi 30 shtëpi bari apo ambiente të tjera të kultivimit të kësaj bime narkotike në ambiente të mbyllura. Janë edhe të depërtuar që e kanë vijuar aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke huazuar këtë lloj mënyre. Kanë qenë të detyruar të investojnë në ambiente të mbyllura, pas aksionit të Lazaratit dhe trafikantët kanë investuar në këto shtëpi bari. Ata që kryejnë aktivitetin kriminal në Britani nuk janë të ekspozuar. Shumë pak arrihet te financuesit e këtyre shtëpive të barit apo grosistët e mëdhenj, por në pranga përfundojnë këta punonjës, që mesa di unë vetëm të dielën dalin nga banesa, ndërkohë që gjatë javës i përkushtohen 24 orë në 24 rritjes së bimëve. Statistika është zyrtare nga përllogaritja e thjeshtë e rasteve që ka bërë zyrtare policia gjatë këtij viti, po ta krahasojmë me vitet e kaluara jemi mbi dyfish. Kanë qenë të shpërndara në Tiranë kanë qenë apartamente të modifikuara, në Astir, në Shkodër dhe vende të tjera. Shfrytëzohen edhe ambiente të braktisura, tunele të ushtrisë ka pasur raste, kryesisht të veçuara nga zonat e banuara”.
Në këtë linjë edhe gazetari Jul Kasapi theksoi se përveç shtëpive të barit në vendin tonë janë edhe serat ku kultivohet kanabis. Ai solli në vëmendje edhe operacionet e policisë në shtëpitë e barit ku pjesa më e madhe e të arrestuarve janë elektricistët që sipas tij bashkëpunojnë me trafikantët.
“Shtëpitë e barit kanë dalë në zonat ku kushtet klimatike nuk e mundësojnë, por në historinë shqiptare shtëpitë e barit janë të huazuar nga vende si Anglia dhe Spanja. Më herët kanë qenë më pak se 9 shtëpi bari. Shqipëria njeh dhe operacionet e policisë në 2021 kishim 32 të arrestuar dhe më shumë nga të arrestuarit janë elektricistët. Kjo është e habitshme por mendoj se ka një bashkëpunim. Edhe në Angli ndodh diçka e tillë. Kjo edhe me krizën energjetike modeli i këtij biznesi ka hasur vështirësi. Ne kemi edhe histori serash në Shqipëri, që nuk mund të identifikohen. Kemi pasur mjaft raste të serave”.
Për gazetarin Ervin Koçi i cili arriti të sillte dëshmitë e punonjësve brenda shtëpive të barit në Britaninë e Madhe, përfituesit e këtyre shtëpive nuk janë punonjësit, ndërsa rendit arsyet.
“Përfituesit kryesorë është e sigurt që nuk janë këta punonjës. Ata paguheshin me përqindje por kishin një pagesë që vihej në bazë të lëndës narkotike. Kujdeseshin për bimët që të dhe merrnin 20% të prodhimit, ata sërish ia jepnin të zotit të shtëpisë me çmimin që e merrte i zoti i shtëpisë, nuk merrnin para të madhe që të justifikonte rrezikun. Dy nga personat që intervistova nënvizuan që gjatë veprimtarisë së tyre kishte ndërhyrë policia. Tre muaj kohë që ata shpenzonin nuk gjeneronin asnjë të ardhur. Bastisja e shtëpive nga grupet rivale me kombësi të tjera thoshin që ishin më kombësi kurde. Gjatë fazës së vjeljes shtëpitë bastiseshin dhe nuk mund t’i bënin rezistencë. Kishte raste kur ushtronin dhunë ndaj të rinjve shqiptarë”.
Për avokatin Meminaj, Shqipëria ka mungesa të theksuara ligjore. Sipas tij duhet ndryshime në ligjin e kodit penal pasi i trajton në bazë të vendimi të unifikuar të 2008-ës.
“Shqipëria këto raste i trajton si raste të zakonshme të kultivimit të bimëve narkotike si modeli i Lazaratit. Ajo që Shqipëria duhet të bënte ndryshim ligjor, sepse nuk kemi rast specifik për shtëpitë se në vetvete këta janë laboratorë dhe duhet që të parandalohen me ndryshim ligjor dhe kjo Shqipërisë i mungon dhe nuk e ka parë me seriozitet. Shqipëria për bimët narkotike ecën akoma me një vendim të unifikuar të 2008-ës. Ne nuk kemi ndryshime ligjore në kod penal. Duhet të ketë azhornime ligjore”.
Fenomeni i shtëpive të barit në Britaninë e Madhe dhe emigrantët e paligjshëm ka sjellë në Shqipëri edhe ministren e Brendshme Britanike të qeverisë Johnson, Priti Patel, e cila është takuar me zyrtarë të lartë ku u nënshkruan edhe marrëveshje për të luftuar bandat kriminale që trafikonin njerëz nga vendi ynë në të gjithë Evropën në Calais.