Po bëhen afro 2 vite që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë. Aktakuza ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit u konfirmua më datë 4 nëntor të vitit 2020. Kurse ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit, një ditë më pas, më 5 nëntor.
Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Procesi gjyqësor ndaj tyre pritet të jetë i gjatë.
Kështu të paktën po paralajamëron avokati amerikan i Thaçit, Pierre Prosper.
“Fatkeqësisht, ky rast do të marrë një kohë të gjatë. Tani ata (Prokuroria) po thonë se u duhen mbi 1800 orë për të paraqitur rastin e tyre, dhe le ta vendosim këtë në kontekstin që është vetëm prezantimi i rastit. Do të duhen disa vite nëse bëjmë llogaritë, po flasim 3 vjet, duke marrë parasysh pushimet e kështu me radhë, atëherë koha e mbrojtjes, deri sa të mbarojë gjykimi. Pra, të paktën 5 vjet. Si e ktheni këtë kohë?”, tha Prosper për InDoks.
Të njëjtën gjë po e thotë edhe Amer Alija nga Fondi i të Drejtës Humanitare.
“Tek rasti Thaçi dhe të tjerët kemi dëgjuar që prokuroria i ka mbi 300 dëshmitarë dhe nëse është plani i tyre që të dëgjohet secili dëshmitarë dhe një dëshmitarë mund të dëgjohet 1-3 ditë varet prej deklaratës së tij pastaj e kemi edhe mbrojtjen e cila do të bën ekzaminim po ashtu do t’i propozojë dëshmitarët e vet, ky proces do të zgjasë disa vite, pastaj e kemi shkallën e dyte , të tretë atëherë ky proces do të zgjasë disa vite”, tha për InDoks Amer Alija nga FDH.
Ndërkohë, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Dokumentari i plotë InDoks | Gjykata anti-UÇK: