
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka hedhur poshtë në tërësi kallëzimin penal të ngritur ndaj tij dhe Kryeshefit të NPL “SportMarketing”, Bardh Krasniqi.
Në një postim të publikuar sot, Rama e ka cilësuar këtë vendim si një dëshmi të qartë që përpjekjet për sabotim politik ndaj zhvillimit të Kryeqytetit kanë dështuar.
Ai tha se tentativa për të diskredituar atmosferën festive të fundvitit, përmes akuzave lidhur me organizimin e tregut “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”, është rrëzuar nga drejtësia.
“Përpjekja e Qeverisë për të diskredituar atmosferën festive që me përkushtim u krijua për festat e fundvitit – u RRËZUA sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një AKTVENDIMI të qartë dhe të argumentuar!”, shkroi ai.
“Kallëzimi penal i ngritur nga Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi, ndaj Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama dhe Kryeshefit të NPL “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me procedurat e organizimit të tregut veror dhe dimëror “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”, u vlerësua si i pabazë dhe u hodh poshtë në tërësi”, njoftoi Rama.
Ai shton se përpjekjet për të bllokuar punën në Prishtinë janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente, por po përplasen me faktet dhe profesionalizmin institucional.
“Kjo është një përballje mes dy qasjeve: njëra që ndërton dhe i shërben qytetarit dhe tjetra që bllokon e saboton. Por drejtësia po e thotë fjalën e saj, qytetarët po e shohin realitetin – dhe Kryeqyteti nuk ndalet”.