Goli në Armeni ishte ai që i vuri kapakun një faze eliminatore të shkëlqyer dhe largoi çdo dyshim të mundshëm mbi kualifikimin e Shqipërisë. Armando Sadiku është sulmuesi më në formë i Kombëtares shqiptare.
Në 3 ndeshjet e fundit, ai ka shënuar në secilin prej tyre nga një gol.
Sapo u fut në fushë në miqësoren me Luksemburgun dhe Katarin, i surprizoi të gjithë me golat e tij, ndërsa me Ukrainën e nisi sfidën si titullar.
Edhe aty i mjaftoi vetëm 1 goditje drejt portës kundërshtare për të sigluar barazimin momental për kuqezinjtë. Me tre golat radhazi, Armando Sadiku është drejt rrugës së një rekordi. Shihet qartazi që ai ka fituar terren ndaj sulmuesit tjetër Sokol Cikalleshi.
Në dhjetë vitet e fundit, askush nuk ka bërë më mirë se ai. Dy lojtarët e tjerë që janë ndalur në kuotën e tre golave radhazi janë Erjon Bogdani dhe Hamdi Salihi.
I pari i ka varur “këpucët në gozhdë” dhe tani është ndihmësi i De Biazit në Kombëtare, ndërsa i dyti nuk u grumbullua nga tekniku kuqezi për në kampionatin europian. /Insajderi.com