Avokatja kosovare ka treguar historinë e saj që nisi për një borxh e përfundoi me nisjen e hetimeve për një noter e po ashtu thotë se u ngacmua seksualisht nga një polic hetues. Insajderi sjell detaje nga ky rast në të cilin tashmë janë përfshirë Prokuroria, Policia e Inspektorati Policor.
Ishte viti 2019, kur personi me inicialet E.L. ia kishte shitur një pronë biznesmenit Naim Kamberi.
Shit-blerja në vlerë prej 160 mijë eurove kishte ndodhur në Gjilan, megjithëse, blerësi sipas shitësit, i ka mbetur borxh mbi 25 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Dhe, këtu nis drama mes dy familjeve – ku përfshihet edhe një noter e një hetues policie.
Familja e E.L. fillimisht e ka bërë një kallëzim penal ndaj noterit Islam Azemi me zyrë në Gjilan për arsye se ky i fundit sipas saj i ka mashtruar.
Rastin e ka konfirmuar edhe avokatja e familjes Zanita Leka, e cila ka treguar se për noterin e kanë çcuar edhe një ankesë tek Oda e Noterëve të Kosovës.
“Ankesën që e kemi bërë në Odën e Noterëve të Kosovës për keqpërdorimin e bërë në zyrën e noterit, në fakt as kjo nuk është shqyrtuar dhe Oda për këtë me daten 03.11.2020 na është përgjigjur se nuk është kompetente për t’u marrë me këtë çështje dhe na ka udhëzuar për të ndërmarrë veprime tjera në Gjykatë ose Prokurori”, thotë Leka, shkruan Gazeta Insajderi.
Ajo rrëfen për kallëzimin penal që e kanë bërë ndaj noterit gjilanas.
“Ne edhe ashtu më 26.10.2020 kemi ushtruar kallëzimin penal kundër noterit Islam Azemi dhe prej atëherë ka pasur shume veprime”, sqaron Leka, e cila thotë se rasti tashmë ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, pasi me lëndën e njëjtë fillimisht ishte marrë ajo e Gjilanit.
Avokatja tregon për Insajderin se si prokurori i rastit në Prokurorinë e Ferizajt e ka konfirmuar se ka pasur “manipulim të provave”.
“Prokurori i rastit Rasim Maloku e pranoi se është bërë një mashtrim, provat konkrete janë manipuluar kur janë bërë transaksionet e që fillimisht kjo nuk është pranuar në procedurë përmbarimore nga ana e blerësit, por pas lajmërimit të rastit në polici i njëjti e pranon se e ka atë borxh”…
Blerësi vendos zinxhir në dyer të pronës, rasti shkon në Polici
Blerësi, këtë rast biznesmeni Naim Kamberi, ka vendosur zinxhir në dyert e pronës në të cilën gjenden edhe dy shtëpi – në mënyrë që askush të mos ketë qasje derisa të zgjidhet procedura gjyqësore.
Pavarësisht kësaj Kamberi, sipas avokates “ka hyrë dhe ka filluar me rrëzimin e shtëpive dhe për këtë më 13.07.2021 kemi iniciuar rastin ne polici”.
Menjëherë pas raportimit të rastit në Polici, avokatja Leka, është kërcënuar dhe ngacmuar seksualisht nga hetuesi i krimeve ekonomike, Hajrush Halili.
“Menjëherë pas raportimit te rastit hetuesi i krimeve ekonomike me ka kontaktuar dhe siç e kam shpjeguar përmes dokumenteve i njëjti më ka kërcënuar për t’u tërhequr nga rasti për çka unë edhe zyrën e kam mbyllur”, thotë Leka për Gazetën Insajderi.
“Për të shkuar më tej ai edhe me ngacmoi duke vazhduar edhe me mesazhe për t’u takuar, por unë këtë rast e dërgova edhe në inspektoratin policor të Kosovës me gjitha provat që i kisha”.
Leka thotë se Inspektorati i Policisë nuk është marrë fillimisht me rastin, derisa ajo e ka publikuar ngjarjen në profilin e saj në Facebook.
Më pas ajo është intervistuar nga Inspektorati Policor, i cili e ka sugjeruar, sipas saj, që të qëndrojë më shumë në shtëpi.
Gazeta Insajderi e ka pyetur IPK-në se a është suspenduar zyrtari në fjalë, por ky institucion ende nuk ka kthyer përgjigje.
Ndryshe, për të gjitha procedurat e hapura që janë iniciuar për rastin e shit-blerjes, janë ndërmarrë veprime që më pas janë pezulluar, që do të thotë se deri tash nuk është marrë asnjë vendim.
“Ajo çka unë pres, sa i përket pyetjes tuaj se a pres shpejt të kem ndonjë epilog final, sinqerisht jo, sepse me gjitha këto veprime, me gjithë provat, prapë nuk janë marrë institucionet me të”, përfundon Leka shpjegimin e saj për Gazetën Insajderi./Gazeta Insajderi/