×
  • Lajme
  • Analiza

    Saga Jasharaj-Kurti vazhdon…

    Insajderi
    13 September 2022 - 11:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jasharaj insiston: 100 euro deri në miratimin e Ligjit pë Paga, Kurti nuk pranon… Vazhdon saga e dyshes më të përfolur për momentin, në Kosovë.

    Gazeta Insajderi

    Ka përfunduar pa asnjë përafrim takimi ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Kosovës me Qeverinë, që nisi sot në orët e hershme të mëngjesit.  

    Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj menjëherë pas takimin me kryeministrin Albin Kurti ka njoftuar se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë.

    “Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci. Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor ,por asgjë nuk kemi ndryshe. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha Jasharaj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Për këtë çështje, rreth orës 11 – pritet të flas edhe Kurti bashkë me vartësit e tij.

    Si nisën grevat?

    Protestat e grevistëve kundër qeveritarëve nisën në maj të këtij viti, pasi nuk u morën parasysh kërkesat e tyre lidhur me kushtet e punës.

    Që nga maji – deri sot – Kurti nuk i ka takuar asnjëherë drejtuesit e sindikatave. Ka heshtur totalisht përballë tyre.

    Prej asaj kohe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga 100 euro shtesë në muaj, derisa të miratohet Projektligji i Pagave që parasheh rritje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas propozimi prej 100 euro shtesë u injorua nga Qeveria e Albin Kurtit, BSPK ka vendosur të hyjë në grevë. Greva ka nisur nga 25 gushti, si paralajmërim i kamotshëm i sindikatave, nëse nuk plotësohen ato që kanë kërkuar.

    Për kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, dialogu social me Qeverinë ka shkuar duke u përkeqësuar.

    “Kërkesat e sindikatave dhe shqetësimet e të punësuarve, që ndërlidhen me kushtet e punës, nuk po kuptohen sa duhet dhe si duhet nga Qeveria”, pati thënë ai muaj më parë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Me ligjin në Kosovë, dialogu social përfshinë të gjitha llojet e negocimit midis përfaqësuesve të Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve, për çështje që lidhen me politikat ekonomike dhe sociale.

    Për t’u ulur në tryezë bashkë, para një dekade është krijuar Këshilli Ekonomik Social, i cili përfshinë përfaqësues të të tria palëve.

    Një takim prej këtyre palëve u mbajt në fundjavë, por po ashtu nuk doli asnjë rezultat pozitiv, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, në grevë janë edhe mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

    Kush ka mbetur më së keqi? Dhe, pse pikërisht fëmijët?

    Psikologë, sociologë dhe prindër në Kosovë shprehen të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të fëmijëve, të cilët nuk kanë nisur ende vitin shkollor.

    Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët.

    Greva, përndryshe, ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës. Dhe, nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.

    Kjo gjendje më së paku iu konvenon fëmijëve. Ndryshe, në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit.

    E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga.

    Orët e humbura nuk janë kompensuar asnjëherë, përkundër kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Deri kur në grevë?

    Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga.

    Qeveria e Kosovës thotë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

    Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Pavarësisht të gjithave, mësimi ende nuk ka filluar./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark