Nënkryetarja e Prishtinës, nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar rreth pretendimeve të Vetëvendosjes se këshilltarja komunale Berna Saraçi ka dalë në ekipin e Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet, pasi është kërcënuar nga kjo parti.
Sahatçiu, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga pretenduesit të zbulojnë emrat se kush e ka kërcënuar Saraçin e jo të bëjnë pretendime të padëshmuara.
“Ftoj ish-kolegët e Bernës nga LVV-ja në Prishtinë që të bëjnë publike sa më shpejt informatën se kush nga PDK-ja e paska kërcënuar atë, apo këdo tjetër, ndonjëherë gjatë këtij mandati. Hajde ma gjallë! Emrat, ju lutem. Emrat. Refuzoj të pranoj që mund të hedhim hije publikisht mbi këdo me pretendime pa asnjë dëshmi”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook.
Sahatçiu tha se përpjekjet shpifëse për të dekurajuar mendimet e veprimet ndryshe nuk do ta ndalin asnjëherë.
“Përpjekjet shpifëse dhe linçuese nga kushdo, për të dekurajuar mendimet ndryshe dhe veprimet e guximshme mbi këto mendime, sikurse kjo e Bernës sot e të tjerëve diku nesër, nuk do të na ndalin asnjëherë”, ka shtuar ajo.