Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për revokimin e masave ndaj Sali Berishës.
Ajo e cilësoi këtë ditë si një moment shprese, duke theksuar se ish-kryeministri i Shqipërisë tregoi forcën dhe guximin e tij gjatë 350 ditëve të kaluara në arrest shtëpie, përballë një procesi të motivuar politikisht dhe pa asnjë provë.
Në postimin e saj, Topalli e vlerësoi Berishën si një figurë të pashoqe që ka mbetur i paluhatur edhe pas periudhës së izolimit, duke treguar se kur një njeri ka të drejtën dhe guximin në zemër, as presionet e as kufizimet fizike nuk mund ta thyejnë.
Ajo theksoi gjithashtu se ky nuk është fundi i luftës, por fillimi i një beteje të re kundër korrupsionit dhe padrejtësisë në Shqipëri.
Topalli përshëndeti gjithashtu solidaritetin e qytetarëve që qëndruan për 350 ditë para shtëpisë së Berishës, duke e mbështetur atë në këtë periudhë të vështirë.
Ajo përfundoi shkrimi duke thënë se Shqipëria do të ecë përpara me njerëz që nuk dorëzohen, dhe se beteja do të vazhdojë.