×
  • Lajme
  • Lajme

    Sali Berisha si Fatos Nano 20 vite më parë, fillon betejën në PD për të marrë drejtimin e saj

    Insajderi
    16 September 2021 - 20:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas shpalljes “non grata” nga SHBA dhe pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, Sali Berisha ka nisur një betejë kundër partisë që vetë themeloi dhe drejtoi për disa vite.

    Në përballjen me Lulzim Bashën, Sali Berisha duket se “kopjuar” ish-kundërshtarin e tij më të madh politik, Fatos Nanon.

    Ishte 16 shtatori i vitit 2001, ku nga Peza, Fatos Nano nisi lëvizjen për “Katarsis” në PS. 20 vjet më vonë, po me 16 shtator, nga një prej hoteleve më luksoze në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha nis lëvizjen për të rrëzuar Lulzim Bashën dhe për të rimarrë drejtimin e PD, prej së cilës u largua me dëshirë pas humbjes së zgjedhjeve në 2013.

    Në takimin e organizuar në ‘Rogner’ mes disa përkrahësve demokratë, Sali Berisha kishte me vete edhe tre deputetë. Edi Paloka, Flamur Noka, Tritan Shehu, ashtu siç pritej, braktisën parlamentin që po zhvillohej paralelisht me  takimin e Berishës, duke iu bashkuar këtij të fundit.

    Gjithsesi, shoqërimi i doktorit nga 3 “senatorë”, aktualisht pa asnjë peshë në PD, nuk flet për ndonjë çarje të fortë në selinë blu.

    Si nisi “Katarsis” nga Nano

    Edhe pse të njëjta në taktikë, lëvizja e Nanos duket se nuk ka ndonjë përputhje me lëvizjen e iniciuar nga Sali Berisha. Dy janë faktorët, qëndrimi i SHBA dhe mbështetja në bazë.

    Në vitin 2001, Fatos Nano, si kryetar i socialistëve, nisi fushatën e njohur si “Katarsis” brenda partisë. Objektivi i tij ishte spastrimi i forumeve drejtuese socialiste nga emrat që i kishin dalë kundër dhe rimarrja e postit të kryeministrit.

    Në këtë periudhë ndodhen edhe ndryshime në statutin e PS , që sanksiononin se kryetari i partisë duhet të ishte kryeministri i vendit.

    Pas përplasjeve të forta, ndryshimet larguan Ilir Metën dhe rikthyen në qeveri Fatos Nanon.

    Sali Berisha, në pamje të parë duket se e ka thuajsë të pamundur një gjë të tillë. Kjo pasi, jo vetëm ka kundër kategorikisht SHBA dhe rikthimi i tij në krye të PD do të dëmtonte dramatikisht këtë forcë politike, por edhe për shkak se duket se deputetët në masë mbështesin Lulzim Bashën.

    Katarsis nënkupton një operacion të thellë për pastrimin e plotë të një plage, por sipas amerikanëve, kjo plagë në PD është vetë Sali Berisha dhe jo Lulzim Basha./Gazeta SHQIP

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark