Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka reaguar pas incidentit që ndodhi dje në aeroportin e Shkupit.
“Incidenti fatkeq dhe tejet shqetësues që ndodhi dje në aeroportin e Shkupit është vazhdimësi e proektit të radikalizimit të BDI-së që po e paralajmërojnë tash e disa muaj. Një zyrtar policie i njohur për afërsinë e tij me krerët e BDI-së , duke shfaqur mungesë të hapur të respektimit të protokolleve të VIP-ave dhe dinjitetit të një delegacioni shtetëror, ndaloi presidenten Osmani”, ka shkruar Sali.
Sipas tij, ky akt jo vetëm që cenon normat diplomatike, por rrezikon edhe acarimin e marrëdhënieve mes shtetit tonë dhe Kosovës.
“Është dëshpëruese të theksohet se BDI-ja edhe një herë tregoi apatinë e saj ndaj institucioneve të Kosovës, duke synuar që në çdo rast të përkeqësojë marrëdhëniet tona. Ky incident është një kujtesë e hidhur e 20 viteve që ata qeverisën dhe nivelin destruktiv që ata janë të gatshëm të shkojnë tani që janë në opozitë. Në këtë pikë kritike, dua të theksoj se çdo anëtar i Vlenit është i përkushtuar të respektojë parimet e respektit, dinjitetit dhe marrëdhënieve të forta diplomatike”, tha Sali në reagimin e tij.