Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, është liruar nga akuza për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së.
Aktgjykimi ndaj Kurteshit u shpall të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Sabit Sadikaj.
Sipas gjykatësit Sadikaj, Kurteshi lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
“Nga faktet e vërtetuara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provat që gjenden në shkresat e lëndë nuk arritet të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet apo vepra penale saktësisht me të cilën ngarkohet nuk paraqet elementet e veprës penale të sulmit”, tha gjykatësi.
Sipas gjykatësit, për veprën penale për të cilën akuzohej Kurteshi, u vërtetua se nuk përbën vepër penale.
“Eventualisht, në këtë rast kemi të bëjmë me plotësimin e elementeve të veprës kundërvajtëse. Pra, në këtë rast nuk janë plotësu elementet e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri”, tha Sadikaj.