Që Bernie Sanders të mbërrijë Hillary Clintonin, atij i duhet të fitojë një numër të madh delegatësh në zgjedhjet paraprake të së martës.
Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara mban të martën zgjedhjet paraprake për kandidatin presidencial në Kentaki dhe Oregon. I pari ka 61 delegatë, i dyti 74; diferenca midis Clintonit dhe Sandersit, ndërkaq, është 1,722 me 1,424 delegatë.
Thënë ndryshe, Clinton ka fituar deri më tash 94 përqind të delegatëve të nevojshëm për të marrë nominimin e partisë si kandidate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Kentakti do të duhej të ishte një shtet i mirë për të. Bashkëshorti i saj e ka fituar atë në zgjedhjet e përgjithshme më 1992 dhe 1996, ndërsa vetë zonja Clinton, në vitin 2008, ka mundur atje senatorin e atëhershëm të Illinoisit, Barack Obama.
Clinton është nën presion për t’ia dalë mirë në këtë rreth zgjedhjesh, në mënyrë që të përqendrohet pastaj në zgjedhjet e përgjithshme dhe në sulmet e shumta që i bën kandidati republikan, Donald Trump.
Republikanët votojnë po ashtu në Oregon, por gara atje është e vendosur, pasi Trump ka fituar tashmë të gjithë rivalët e tij.
Aleatët e Clintonit kanë rritur presionin ndaj Sandersit, senator i Vermontit, i cili ka qenë historikisht i pavarur dhe jo demokrat, që të tërhiqet nga gara.
Disa demokratë janë të shqetësuar se prania e tij dëmton shanset e tyre për të mposhtur Trumpin – një biznesmen miliarder, i cili nuk ka përvojë politike – në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Sanders, së voni, ka fituar zgjedhjet paraprake në Indiana dhe Uest Virxhinia, por kjo nuk i ka ndihmuar të shkurtojë epërsinë e Clintonit në numrin e delegatëve.
Ai ka insistuar se do të qëndrojë në garë deri në zgjedhet e fundit paraprake që do të mbahen më 7 qershor në Kaliforni dhe Nju Xhërsi. Mesazhet e tij kanë depërtuar kryesisht te të rinjtë, të cilët i kanë ndihmuar të fitojnë deri më tash 19 shtete.
Strategu demorkat, Jim Manley, thotë se Sanders duhet të jetë i kujdesshëm që të mos përfundojë duke ndihmuar Trumpin.
“Nëse ai (Sanders) zgjedh të mbetet në garë, shpresoj se do të luajë mirë dhe nuk do t’i japë fushatës së Trumpit më shumë municion për të sulmuar Clintonin”, thotë Manley.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se është i bindur se Clinton do të fitojë nominimin e partisë.
Trump ka thënë se rivalja e tij demokrate ka avancuar në garë vetëm se është grua.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen më 8 nëntor. Fituesi do pasojë presidentin aktual, Barack Obama, i cili ka ardhur nga kampi democrat dhe ka shërbyer dy mandate./REL