Kuvendi i Kosovës ka deponuar në Prokurori një dosje prej 20 faqesh për një tokë prej tre hektarësh në Çagllavicë që thonë se u tjetërsua. Dosja që e ka siguruar Gazeta Insajderi zbulon se krejt zanafilla nis kur një qytetareje shqiptare kosovare me emrin Sanie B… iu mor numri personal dhe identiteti i ri i saj u bë serbe kosovare, Sllavica Mikiq. Pastaj, një vendim i Gjykatës së Prizrenit i vitit 1967 u përdor për të marrë tre hektarë në Çagllavicë që pretendohet se janë të RTP-së. Vendimi nuk gjendet në Arkiv. Toka, sipas Kuvendit kap vlerën së paku 12 milionë euro
Visar Duriqi
Javë më parë Gazeta Insajderi raportoi për një dokument që kishte prodhuar Policia e Kosovës e deponuar në Prokurorinë Speciale. Në të përshkruheshin transaksione të dyshimta me një pronë në Çagllavicë e ku epiqendra e raporti që u krye me dokumente të Njësisë së Inteligjencës Financiare ishte avokati Venhar Hana, për disa vite avokat i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Lexo raportimin e Insajderit:
E për të njëjtën pronë, del që Kuvendi i Kosovës ka qenë duke kryer një hetim. Të premten e javës së kaluar Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim deponoi dy dosje në Prokurori.
Gazeta Insajderi ka siguruar raportin për dyshimet për tjetërsi të tre hektarve të ish-Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP).
Në këtë raport prej 20 faqesh, një kopje të të cilit e ka Insajderi, tregohet se krejt filli i këtij problemi nis te një ndërrim identiteti.
Sanie B…, një kosovare shqiptare e lindur në vitin 1955 e që kishte letërnjoftim të UNMIK-ut të lëshuar në vitin 2022, për një moment në vitin 2009 nga Sanie bëhet Sllavica Mikiq. Datëlindja identike. Numri personal i njëjtë.
“Nëpërmjet e-mailit ju kemi drejtuar Agjencisë së Regjistrimit Civil, pranë MPB- së, ku kemi kërkuar informacione për znj. Sllavica Mikiq, për të cilën na është kthyer kjo përgjigje: Sllavica Mikiq, me numër personal 1………3 ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut të prodhuar në vitin 2002 me këto të dhëna: Sanie B…, e lindur më ….1955 në Prishtinë. Në vitin 2009, është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës me këto të dhëna: Slavica Mikiq e lindur më …..1955 në Kralevë. Në vitin 2011 ka aplikuar për letërnjoftim të humbur me të dhëna të njëjta, tani ka në posedim letërnjoftim të prodhuar më 12.03.2021 të vlefshëm deri më 11.03.2031”, thuhet në raportin e Kuvendit dërguar në Prokurori.
Deputetët e përfshirë në përpilimin e raportit, pos komunikimit me postë elektronike thonë që edhe i vizituan RC-në.
“….gjatë vizitës që kishim në ARC, dhe bashkëbisedimit me zyrtarin në ambientet e ARC-së, zyrtari na njoftoi se këtu bëhet fjalë për ndërrim të identitetit të znj. Sanie Blakqori dhe se na pas kësaj i kërkuam të na dërgojë të shkruar në formë zyrtare kronologjinë e ndërrimit të identitetit të znj. Sanie Blakqori. Se krimi i ka rrënjët thellë në shoqërinë tonë, fatkeqësisht fletë edhe kjo informatë nga ana e zyrtarit të ARC-së”, thuhet në raport.
Avokati Venhar Hana, personi që Kuvendi e përmend si personi kyç i tjetërsimit
“Prona publike tanimë e tjetërsuar (parc.kad.nr.427-1, z.kad. Çagllavicë me sipërfaqe prej 3.92 ha) dhe e regjistruar në emër të Sllavica Mikiqit, kap vlerën prej 12 milionë euro, pronë e cila ndërkohë është ndarë në 64 njësi të reja kadastrale me shumë pronarë dhe biznese, momentin kur e kemi pranuar historikun, ndërsa sot mundë të ketë edhe më shumë parcela të krijuara dhe pronarë të ndryshëm”, konstatohet në raportin e Kuvendit, e ku ngarkohet direkt Venhar Hana, ish-avokati i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, për të cilat Gazeta Insajderi ka bërë një sër raportimesh.
Lexo raportimet e Insajderit për BKS:
“Edhe pas dy kërkesave në Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës për ta regjistruar pronën në bazë të këtij Aktgjykimi, Drejtoria e Kadastrit e kishte refuzuar një regjistrim të tillë, ku pas kësaj Avokati, z.Venhar Hana, në cilësinë e të autorizuarit të znj. Sllavica Mikiq, i drejtohet me kërkesë për regjistrim Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i cili edhe e bënë tjetërsimin e pronës publike të RTP-së në emër të Sllavica Mikiqit, në bazë të Aktvendimit nr.03/141/22 të datës 17.05.2022.”, thuhet në raport.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, avokati Hana ka një shpjegim tjetër.
“…paragrafin si me poshtë, sqaroj se i njëjti ka pasaktësi në formulimin e tij, sigurisht në tendencë për të dhënë një kuptim tjetër fakteve mbi procedurën administrative të zhvilluar. Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar, kam paraqitur vetëm një (1) kerkesë për Zyrës Komunale Kadasteale për regjistrim të së drejtës së pronesisë për palën në përfaqesim, dhe nuk i kam paraqitur dy të tilla, siç thuhet. Në këtë paragraf, nuk janë theksuar as arsyet e refuzimit, meqenëse rezulton se qenkan të rëndësishme”, i ka thënë Hana Insajderit.
Në anën tjetër, sipas avokatit Hana, pranë Agjencisë Kadastrale të Kosovës si organ i shkallës së dytë, “as që mund të parashtrohet “kërkesë”, por vetëm ankese, ku kam parashtruar dy ankesa të ndryshme kundër vendimeve të organit të shkallës së parë, e të cilat, sipas kompetencës ligjore të këtij institucioni, janë aprovuar si të bazuara e të ligjshme”, ka shtuar Venhar Hana, me profesion avokat.
Ai thotë se nuk ëhstë përgjegjës për tjetërsimin e pronës 12 milionëshe të RTP-së.
“Në këtë kontekst, parafrazimi se jam personi “i cili ka tjetërsuar pronën publike të RTP”, është i paqëndrueshëm, i pasaktë dhe i pavërtete, ngase në cilësinë time të përfaqesuesit as nuk jam palë në procedurë, e as organ vendimmarrës në të njejtën”, thotë Hana për Insajderin.
Gazeta Insajderi e ka noftuar atë me krejt përmbajtjën e raporti, duke ia dërguar një kopje të tij dhe pritur për disa ditë, por Hana nuk ka komentuar as për dyshimet për ndërrim identiteti e as për kontestimin e vendimit të Gjyqit, që nuk gejndet në Akrivin e Kosovës.
Deputetet, para se ta depononin në Prokurori Raportin, e kishin takuar avokatin Hana.
“Në takim e njoftuam avokatin Hana, në lidhje me shqetësimet e ngritura, si dhe shqetësimet tona në lidhje me tjetërsimin e pronës publike të RTP- së dhe i treguam se në bazë të disa shënimeve të siguruara, ju ishit i autorizuari i znj. Sllavica Mikiq, ku njëkohësisht kërkuam që të na dërgojë një kopje të Autorizimit, të cilën kopje Avokati Hana na dërgoi pas disa ditëve. Nga kopja e Autorizimit të cilën e dërgoi avokati, kuptuam se Hana kishte Autorizim të përgjithshëm, ku edhe i njëjti pastaj në bazë të këtij Autorizimi i kishte kryer të gjitha veprimet në lidhje me Aktgjykimin P.br.56/76 të datës 28.04.1976, i Gjykatës së Qarkut në Prizren, ku edhe pas regjistrimit të kësaj prone nga ana e AKK –së, sipas këtij Aktgjykimi të dyshimtë, avokati Hana vazhdoi mandej të gjitha aktivitetet e tjera rreth kësaj prone me sipërfaqe prej 3 hektar e 92 ari, duke vazhduar me ndarje fizike të parc.kad.nr.427-1, z.kad.Çagllavicvë në shumë njësi të reja kadastrale si dhe nënshkrimin e shumë kontratave në mes shitëses znj, Sllavica Mikiq dhe blerësve e të cilat kontrata i nënshkroi avokati Hana, si i autorizuar i znj. Sllavica Mikiq”, thuhet në raport.
Vendimi i Gjyqit i vitit 1976 që nuk gjendet në Arkiv
“Vlen të theksohet se tjetërsimi i pronës publike të RTP –së nga ana e Agjencisë Kadastrale të Kosovës u bë në Kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë të kundërligjshme ngase prona publike e RTP-së në momentin e tjetërsimit ishte në procesin e Likuidimit, sipas Vendimit të autoritetit të Likuidimit pranë AKP-së”, thuhet në raportin e Kuvendit të dërguar në Prokurori e që e ka siguruar Insajderi.
Dyshimet e bazuara që me ngritjen e shqetësimit në Komisionin Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, “pas këtyre të gjeturave tanimë janë realitet se tjetërsimi i pronës publike të Radio Televizionit të Prishtinës me sipërfaqe prej 3 hektar e 92 ari, u paramendua, u shkrua dhe në fund pa asnjë dilemë po na del i FALSIFIKUAR, Aktgjykimi P.br.56/76, datë 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren”, thuhet tutje në këtë raport.
Gazeta Insajderi po ashtu ka bërë kërkesë në Arkivin e Kosovës për ta kuptuar se si erdhi pala, këtë rast ish-Sania, tash Slavica Mikiq në posedim të vendimit gjyqësore me të cilin u bë pronare e tokës, por edhe ata nuk del që e kanë në posedim këtë vendim.
Një shpjegim të tillë ia kanë dhënë edhe Kuvendit. Në vitin 2023 ia dhanë edhe Policisë. Janë vendimet e tjera nga ish-Gjjykata e Qarkut në Prizren, por jo edhe ky vendim.
Aktgjykimi me numër identifikues “P.br.56/76”, i datës 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren, “e në në bazë të të cilit Aktgjykim AKK-ja, ka tjetërsuar 3.92 ha, pronë publike të Radio Televizionit të Prishtinës dhe të njëjtën pronë e ka regjistruar në emër të Sllavica Mikiq”, thuhet në raport.
Kërkesa e anëtarëve të komisionit parlamentar që përpiloi këtë raport ishte, sic thonë ata, “për zyrtarët e Arkivave të Kosovës ishte për ta konfirmuar ekzistimin e Origjinalit të këtij Aktgjykimi, pranë Arkivit Shtetëror të Kosovës”.
Sipas raportit, në bashkëbisedim e sipër, zyrtarët e arkivit të Kosovës, u njoftuan se lëndët në Arkivin e Kosovës zakonisht dorëzohen në Arkiv pas 30 viteve me procesverbal mbi dorëzimin e lëndëve. Kështu ka ndodhur edhe me lëndët nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Materiali Arkivor nga Fondi i Gjykatës së Prizrenit ka ardhur në vitin 2006 dhe është protokolluar, me nr. të protokollit 349, dt.26.09.2006, i cili material përmban Lëndë Civile nga viti 1961 deri në vitin 1988, sasia e materialit të pranuar 45m. gjatësi. Në procesverbalin mbi pranimin e këtij materiali të vitit 1976 figuron që mungon lënda Civile 56/76. Po ashtu në një Procesverbal tjetër me nr. prot. 01.nr.761/2009 të datës 23.10.2009, është pranuar dokumentacion shtesë nga Gjykata e Qarkut në Prizren, ku edhe në këtë procesverbal nuk paraqitet shprehimisht që ka ardhur kjo lëndë”, thuhet në këtë raport.
Në interesimin e deputetëve se kush dhe kur ka kërkuar për herë të parë kopjen e këtij Aktgjykimi në Arkivin e Kosovës përgjigjja ishte se “më 19.02.2021 me nr. Prot. 02/3 nr.94, e ka kërkuar z. Florent Erdin Kurtolli, sipas Autorizimit nga Sllavica Mikiq ( autorizimi lëshuar nga Noter Valdete I. Ademi) edhe pse në kopjen e kërkesës shihet se ka nënshkruar znj. Sllavica Mikiq dhe atë me ”dy modele të nënshkrimit ”. Me këtë rast Arkivi Qendror sipas procedurave të brendshme i ka lëshuar me datë 23.02.2021, të autorizuarit të palës z. Florent Erdin Kurtolli kopjen e vërtetuar të dokumentit ( aktgjykimi P.br.56/76)”, thuhet në këtë raport të Kuvendit të dërguar në Prokurori
Gjithashtu, Arkivi qendror nga Komuna e Prishtinës, me nr. Prot.590 dt.09.12.2021, përmes zyrtarëve Behar Mehani dhe Fetije Rizani ka pranuar kërkesën për lëndën Civile nr.56/76 të Gjykatës së Prizrenit, që iu është lëshuar kopja e vërtetuar me nr. Prot.02/3. nr.590 dt.13.12.2021 për dokumentin në fjalë.
“Aktgjykimin e parë të vërtetuar e ka lëshuar z. M. B, i cili tani më nuk punon këtu por i njëjti punon në Arkivin Komunal të Prishtinës dhe Aktgjykimin e dytë të vërtetuar e ka lëshuar z.V. B, i cili gjithashtu më nuk punon këtu, por i njëjti tani punon në Arkivin Komunal në Ferizaj”, konstatohet në raport.
Dhe pyetja e deputetëve se a ekziston Origjinali i Aktgjykimit P.br. 56/76 i datës 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren, përgjigjja ishte se “për momentin nuk mund të themi se ekziston ngase jemi duke e kërkuar çdo ditë dhe ende se kemi gjetur ngase kemi material arkivor në gjatësi prej 4 km. Pas kësaj përgjigje kemi kërkuar që në emër të Komisionit për Ambient të na përgjigjen zyrtarisht”, konstatojhet në raport.
Në shkurt 2024 deputetët zbarkuan edhe në Arkivin e Kosovës
“Në takim edhe një herë shprehëm shqetësimet tona në lidhje me tjetërsimin e pronës publike të RTP- së, me ç’ rast kërkuam edhe një herë Origjinalet e Aktgjykimit P.br.56/76 të datës 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren në bazë të të cilit Aktgjykim u tjetërsuan 3.92 ha të RTP- së, ku na u tha se nuk po mundemi me e gjet Origjinalin”, konstatohet në raport
Në Aktgjykimin P.br.56/76 të datës 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren, ku pretendohet se gjoja se është bërë ndërrimi me parc.kad.nr.1833-0 dhe 1834-0 z.kad.Leskovec, deputetët dolën edhe në vendngjarje, në lokacionin e këtyre parcelave për t’u njoftuar nga afër me lokacionin e parcelave të pretenduara.
Vizitën në lokacionin e parc.kad.1833-0 dhe 1834-0, z.kad. Leskovec, Komuna e Prizrenit e realizuan më 4 dhjetor 2023.
Agjencia Kadastrale e shkeli ligjin kur pronën e RTP-së ia dha Sllavica MIkiqit, konstaton raporti
Deputetët tutje kishin shkuar në Agjencinë e Privatizimeve dhe ku u njoftuan se vendimin që në vitin 2022 e mori Agjencia Kadastrale për t’ia njohur pronën Sllavica Mikqiti, me vendimin e 1976-ës që s’po gjendet në Arkiv, “askush nuk na ka lajmëruar për këtë ndryshim, dhe në momentin që e kemi kuptuar ( 27.04.2023, gati pas një viti ), AKP-ja ka ushtruar padi për anulimin e Aktvendimit të AKK-së”. Konstaton raporti
Në prill të vitit 2023 Autoriteti i Likuidimit për N. SH. RTP-në ka ushtruar Kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, po për të njëjtën pronë, e sipas dokumenteve që Arkivi i Kosovës ia ka dërguar Gazetës Insajderi, më autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dokumentet e njëjta i ka kërkuar edhe Policia e Kosovës.
Raporti i Kuvendit zbulonb se Sllavica Mikiq ka aplikuar në mars 2021 pranë Autoritetit të Likuidimit për pretendimet e saj, në lidhje me parc.kad.nr.427-1, z.kad..Çagllavicë, pronë e RTP-së, e AKP-ja ka konstatuar mungesë të një mori dokumentesh.
Mikiq nuk është përgjigjur në afat prej 15 ditëve për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga Autoriteti Likuidimit pranë AKP-së, prandaj Autoriteti i Likuidimit e kishte rrefuzuar kërkesën e saj.në shkurt të vitit 2023
Aty del që Agjencia Kadastrale e Kosovës në mënyrë të jashtëligjshme, sipas raportit të Kuvendit, e ka kaluar këtë pronë në emër të ish-Sanisë, tash Sllavica Mikiq, pasi që, që nga data 18 janar 2021 kur ajo pronë hyri në likuidim, nuk lejohet të bëhet kurrfarë ndryshimi, asnjë Aktgjykim, Vendim e as dokument Arbitrazhi, “e këtë e sqaron edhe Udhëzuesi Juridik i Gjykatës Supreme të Kosovës, ku thuhet se në momentin e marrjes së Vendimit për Likuidim PEZULLOHEN të gjitha veprimet deri në momentin e përfundimit të Likuidimit”, thuhet në raport.
“Drejtori i AKP-së, në pyetjen tonë, heshti”, thuhet në raportin e deponuar në Prokurori.
Në Pyetjen që deputetët i bënë AKP-së së Agjencia Kadastrale a e ka shkelur ligjin sipas këtyre dy vërejtjeve, pasi që e ka regjistruar pronën edhe pas marrjes së Vendimit për Likuidim ( 18 janar 2021), “drejtori Ekzekutiv i AKP-së u përgjigj se po e kanë shkelur Ligjin dhe tha se ato ( duke aluduar në menaxhmentin e AKK-së) as që na kanë konsultuar neve për rastin në fjalë”, konstaton raporti.
Agjencia Kadastrale e Kosovës, përkundër Vendimit për Likuidim (18 janar 2021), vendosi ta regjistrojë pronën publike të RTP-së në emër të Sllavica Mikiq me datë 17.5.2022, “sipas dokumentacionit mjaft të dyshimtë i para 46 viteve, Aktgjykimi P.br.56/76 i datës; 28.04.1976, i Gjykatës së Qarkut në Prizren dhe përkundër marrjes së Vendimit nga ana e AKP-së për Likuidimin e Ndërmarrjes Shoqërore Radio Televizioni i Prishtinës, AKK-ja bën tjetërsimin e pronës publike dhe të njëjtën e regjistron në emër të Sllavica Mikiq, ku tjetërsimi i pronës pas marrjes së Vendimit për Likuidim Paraqet Vepër Penale”. Konstaton raporti i deponuar në Prokurori. /Insajderi.org/