Presidenti i Republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik ka thënë se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë ia ka refuzuar kërkesën për vizë diplomatike.
Viza do t’ia mundësonte atij udhëtimin drejt ShBA-së në muajin janar për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në të cilin ai ishte i ftuar.
Dodik i ka thënë transmetuesit publik të republikës serbe në Bosnje RTRS, më 7 dhjetor se arsyetimi i ambasadës për këtë vendim ka qenë se ai nuk shkonte në Uashington si përfaqësues i Bosnjës dhe Hercegovinës.
Lideri serb ka thënë se ftesa për të marrë pjesë në inaugurim i është dërguar nga pjesëtarët e ekipit të Trumpit.
Dodik e ka kujtuar një detaj të një bisede telefonike që e ka pasur gjatë javës së kaluar me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka kërkuar nga ai që të heq dorë nga politikat e partisë së tij separatiste pro ruse dhe “t’i përgjigjet prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Dodik i ka përshkruar komentet e Yee’s duke thënë se kanë qenë të nxitura nga ambasadori amerikan në Bosnje, Maureen Cormack, i cili ka qenë i pranishëm gjatë bisedës telefonike, shkruan rel.
RTRS ka raportuar se Yee e ka “fajësuar Dodikun për bllokimin e rrugës së Bosnjës dhe Hercegovinës drejt BE-së”.