Sasia e manganit në Badoc ende e lartë, IKSHPK apelon të mos përdoret uji për pije - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sasia e manganit në Badoc ende e lartë, IKSHPK apelon të mos përdoret uji për pije

    Insajderi
    15 September 2025 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar përsëri për gjendje aktuale me fenomenin “Mangan”, në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

    Në njoftimin e KRU”Prishtinë” thuhet se rezultatet e analizave të fundit laboratorike tregojnë rritjen e nivelit të manganit në ujin e liqenit të Badocit dhe në rrjetin shpërndarës.

    Njoftimi i plotë:

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025 ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

    Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.

    Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.

    Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

    IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.

    IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

    KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:

    Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;

    Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.

    Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

    Për çdo informacion të përditësuar njoftojeni këtu.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark