Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë detaje lidhur me takimin që është mbajtur mbrëmë në orët e vona bashkë me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve.
Në njoftim thuhet se Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka informuar përfaqësuesit e të punësuarve në arsim më 3 shtator i kanë dërguar shkresë zyrtare kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Arbërie Nagavci me kërkesat që urgjentisht të ngritët vlera e koeficientit të pagave për së paku 30% dhe të futet në zbatim që nga shtatori i këtij viti.
“Po ashtu është kërkuar që të zbatohet menjëherë vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. AGJ 2113/23 i datës 16.01. 2023 e veçmas ai lidhur me pagesën e viteve të përvojës së punës në mënyrë që edhe 15 vitet e para të punës për të gjithë punëtorët e sektorit publik nga 0.25 %, të kthehet si ka qenë në 0.5%”, thuhet në njoftim.
Në fund të këtyre shkresave, SBASHK-u thotë se ka shprehur gatishmërinë për takim me kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci për të dhënë sqarime shtesë për këto dy kërkesa.
“Kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve, janë shprehur se SBASHK-u pret që institucionet të dëshmohen se janë për dialog dhe nuk i duan grevat në arsim”, thuhet në njoftim.