Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkuar mobilizim të përbashkët për të përmirësuar cilësinë e arsimit në vend pas të dhënave shqetësuese të publikuara nga PISA lidhur me njohuritë e nxënësve të Kosovës.
“Rezultate jo të mira në PISA kanë pasur edhe shtete me traditë e shumë të fuqishme ekonomikisht. Edhe Gjermania nuk kishte dalë mirë dikur në PISA , por ata nuk humben kohë duke lotuar e duke sharë. U mobilizuan atje të gjithë dhe arritjet u shtuan”, ka thënë SBAShK në një komunikatë për media.
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68 në mesin e 70 shteteve, cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
Më keq se Kosova renditen Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkohë Singapori është i radhitur në vendin e parë.
Testi “PISA” ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë. Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.
Por, sindikata ka mbrojtur mësimdhënësit të cilët përfaqëson, duke thënë se hedhja e fajit për rezultatin e dobët tek mësuesit është e papranueshme.
“Ju kujtoj gjithë atyre “shpëtimtarëve” dhe vajtoreve se mësimdhënësit tanë kanë bërë gjithë të mundurën. U pajtuan me reformat dhe u munduan t’i vënë në jetë. U pajtuan të dërgoheshin në ngritje profesionale pa shkëputje nga puna , u pajtuan të shkojnë në trajnime e trajnime. Të tjerët vendosnin pa i pyetur mësimdhënësit për reformat, trajnimet dhe për eksperimente e eksperimente me klasat e 13-ta , me klasat e pesta e të nënta dhe me nguti të tjera”, thuhet në reagimin e sindikatës.
“As për këto nuk duhet humbur kohë tani për të gjetur fajtorin , por duhet mësuar nga pësimet dhe duhet menduar të gjithë bashkë çka tani e tutje”./Insajderi.com