SBASHK-u paralajmëron Kongres të Jashtëzakonshëm, përmendet edhe greva - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    SBASHK-u paralajmëron Kongres të Jashtëzakonshëm, përmendet edhe greva

    Insajderi
    02 July 2025 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka bërë të ditur se po përgatitet për thirrjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm, me karakter vendimmarrës, për të përcaktuar veprimet sindikale në rast se vazhdon boshllëku institucional dhe mungesa e dialogut me autoritetet qendrore.

    Përmes një komunikate për media, SBASHK-u thekson se “në takimet e shpeshta me udhëheqësit sindikal nga të gjitha nivelet e arsimit, ka analizuar me kujdes situatën aktuale politike dhe institucionale në vend”.

    Sipas kësaj komunikate, gjatë këtyre analizave janë shprehur “kritika të argumentuara ndaj partisë që doli e para në zgjedhjet e shkurtit”, të cilën e akuzon se po injoron vullnetin e qytetarëve dhe po lë anash prioritetet reale të vendit, përfshirë edhe interesat e punëtorëve të arsimit.

    SBASHK-u shpreh shqetësimin se, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, “nuk ka se kujt t’i adresohen kërkesat e punëtorëve arsimor”, duke e cilësuar këtë si një boshllëk serioz institucional.

    “Unanimisht është vendosur që të nisin përgatitjet për mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm. Ky Kongres do të ketë karakter vendimmarrës për veprime të mëtejshme sindikale. Në të do të shqyrtohet dhe vendoset qartë nëse muaji shtator do të shënojë fillimin e vitit të ri shkollor, apo do të jetë fillimi i veprimeve sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark