Më në fund ka arritur një lajm i mirë për gjendjen e Michael Schumacherit.
Ish-ngasësi i Formula 1, Johnny Herbert ka njoftuar se legjenda e Formula 1 është në gjendje “të ulët në karrigen e darkës”.
Schumacher, i cili e kishte fituar shtatë herë titullin e kampionit të botës e kishte pësuar një aksident tragjik derisa ishte duke skijuar në alpet franceze në dhjetor të vitit 2013, ndërsa kishte përfunduar në gjendje kome pas dëmtimeve që i kishte pësuar në kokë.
Ai u ishte nënshtruar disa operimeve pasi kishte përfunduar në koma artificiale, ndërsa tash duket se gjendja e tij po përmirësohet dalëngadalë, 10 vjet pas incidentit.
Duke folur për “BettingSites.co.uk”, ish-ngasësi britanik i Formula 1 tha: “Unë dëgjoj lajme vetëm nga dora e dytë. Kam dëgjuar, nga njerëz brenda Formula 1, se ai ulet në karrigen e darkës, por nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Unë vetëm mund të lexoj në mes të rreshtave”, u shpreh Herbert.
“Ne nuk kemi dëgjuar shumë nga familja dhe është e kuptueshme. Familja dëshiron të mbajë gjithçka private, gjithçka sekrete. Kjo ka vazhduar që nga ditët e tij të garimit. Nuk e ndiej se gjërat kanë lëvizur në mënyrën se si shumë prje nesh që e njohim dhe që shumë fansa përreth botës do të dëshironin t’i shihnin”, përfundoi britaniku.
Ish-ngasësi gjerman i Ferrarit dhe i Mercedesit nuk është shfaqur në publik qe 10 vjet./Express