
Në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Seanca filloi me leximin e aktakuzës nga prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu. I akuzuari Denis Bytyqi, i cili refuzoi të ngrihej në këmbë gjatë leximit të aktakuzës dhe në momentin kur u pyet për fajësinë, deklaroi:
“S’e kam traditë me u çu në këmbë para kurrkujt. Ka shumë shpifje aty… të pafajshëm”.
Edhe i akuzuari tjetër, Enis Bitiq, u deklarua i pafajshëm, duke thënë shkurt:
“Plotësisht i pafajshëm”.
Gjykatësja e rastit, Violeta Namani-Hajra, njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Gjatë seancës, mbrojtësi i Denis Bytyqit, avokati Zijadin Spahiu, kërkoi nga gjykata që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj klientit të tij, me arsyetimin se kanë pushuar kushtet ligjore për mbajtjen e saj. Po ashtu, avokati i Enis Bitiqit, Zenel Shala, kërkoi heqjen e masës së arrestit shtëpiak për klientin e tij, me të njëjtën arsyetim.
Gjykatësja Namani-Hajra bëri të ditur se lidhur me këto propozime, gjykata do të marrë vendim jashtë seancës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 shtator 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq akuzohen se në mënyrë të vazhdueshme deri më 1 maj 2025, përmes rrjeteve sociale “Facebook” dhe “TikTok”, kanë përhapur përmbajtje nxitëse me karakter ekstremist fetar.
Ata akuzohen se kanë bërë thirrje publike për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, si dhe kanë shfaqur përkrahje të hapur ndaj organizatës terroriste “ISIS”. Në postimet e tyre, ata kanë shprehur armiqësi ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre.
Aktakuza gjithashtu përmend se të akuzuarit kanë vendosur flamuj të ISIS-it në kulmin e shtëpisë së tyre dhe kanë bërë grafite me përmbajtje në gjuhën arabe në muret e shtëpisë, me ç’rast, sipas Prokurorisë, këto veprime kanë pasur potencial për të cenuar rendin dhe sigurinë publike.
Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.