×
  • Lajme
  • Analiza

    Së shpejti rikthehen bastet sportive në Kosovë, por të rregulluara nga shteti

    Insajderi
    17 September 2020 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më shumë se një vit prej ndalimit me ligj, lojërat e fatit pritet t’i rikthehen së shpejti aktivitetit të tyre në Kosovë.

    Por, për dallim nga vitet e kaluara, sektori i lojërave të fatit pritet të pësojë ndryshime në mënyrën dhe formën e organizimit, parasheh Projektligji për Lotarinë e Kosovës, i përgatitur nga Qeveria e Kosovës.

    Projektligji, i cili nga mesi i muajit gusht deri më 1 shtator u gjend në konsultim publik, parasheh se përveç Lotarisë së Kosovës, do të lejohen edhe prognozat sportive e lojërat e tjera të fatit.

    “Lojërat e fatit të organizuara nga ana e Lotarisë kategorizohen si në vijim: Lojërat numerike; Lotaria instant/ekspres; Prognoza sportive; Bastet në numra apo ngjarje tjera; dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, thuhet në Nenin 2, paragrafet 1, 2, 3 dhe 4 të Projektligjit për Lotarinë e Kosovës.

    Të gjitha këto aktivitete të lojërave të fatit do të organizohen dhe mbikëqyren nga Lotaria e Kosovës sh.a. Ky institucion do t’i japë llogari Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës. Praktikisht, shteti do të ketë monopol mbi lojërat e fatit, raporton Gazeta Insajderi.

    Qeveria do të jetë aksionari i vetëm i shoqërisë aksionare Lotaria e Kosovës si dhe qeverisë nuk i lejohet t’ia delegojë asnjë institucioni tjetër organizimin e lojërave të fatit, thuhet në Projektligjin për Lotarinë.

    “Lotaria është institucion i vetëm në Republikën e Kosovës e cila ka autorizim për organizimin e lojërave e fatit në Republikën e Kosovës”, theksohet në Nenin 17 të Projektligjit.

    Draft-ligji, i cili pritet të plotësohet me rekomandimet e komisioneve e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i jep kompetenca Bordit të Lotarisë për përcaktimin e kapitalit themelor të Lotarisë.

    Ndonëse derisa Projektligji ndodhej në Platformën për Konsultim Publik të qeverisë, shoqëria civile rekomandoi plotësimin e draft-ligjit me dispozita të cilat përcaktojnë se një shumë e konsiderueshme e të ardhurave të Lotarisë të dedikohen për përkrahjen e nismave të interesit publik, në draft-ligj nuk përshkruhet se ku do të sistemohen të ardhurat e saj.

    Aty nënvizohet se “ndarja e fitimeve dhe sistemimi i të ardhurave” do të jetë përgjegjësi e Bordit të Lotarisë, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë. Anëtarët e bordit do të kenë mandat të gjatë prej katër vjetësh.

    Para se të hyjë në fuqi, Projektligji për Lotarinë do të shqyrtohet në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe katër komisionet e tjera të përhershme të Kuvendit të Kosovës, para se të vendoset për t’u hedhur në votim në seancat plenare të saj.

    Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të vitit të kaluar . Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të 2019-s.

    Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit ishte marrë pasi në dy kazino, në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark