Seanca e parë e Kuvendit të ri në Shqipëri fillon me tensione, Sali Berisha refuzoi të hapte punimet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Seanca e parë e Kuvendit të ri në Shqipëri fillon me tensione, Sali Berisha refuzoi të hapte punimet

    Insajderi
    12 September 2025 - 10:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, nisi sot seancën e parë plenare, por jo sipas traditës parlamentare.

    Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, një vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo, shkruan Euronews.al.

    Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare në llozhat e Kuvendit. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, mes tyre Sokol Sadushi dhe Holta Zaçe.

    Në fjalën e tij hapëse, Llajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike, duke theksuar se misioni i këtij Kuvendi është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ai tha se ndasitë politike janë pjesë e pandashme e jetës parlamentare, por qëllimi i përbashkët duhet të mbetet integrimi evropian.

    Më tej, ai shpalli ngritjen e Sekretarisë së përkohshme të Kuvendit, e cila do të merret me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve të rinj. Sekretaria përbëhet nga tre deputetet më të reja në moshë: Marjana Koceku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Capja.

    Seanca nuk kaloi pa tensione. Në momentin kur Llajo lexoi emrat e deputetëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike shpalosi disa pankarta me fytyrat e ministrave të kabinetit qeveritar dhe me mbishkrimin “Karteli 2030”, duke protestuar kundër mazhorancës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark