
Ka filluar seanca plenare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me propozimin francez. Sot është dita e tretë e seancave në lidhje me porpozimin francez.
Organizatorët kanë bërë thirrje, që të dalin qytetarët në protestë kundër bullgarizmit të Maqedonisë, kunër përdorimit të fusnotës për gjuhën maqedonase si dhe kundër rishqyrtimit të librave shkollorë nën diktim të Bullgarisë.
Diskutimi për propozimin francez në dy ditët e fundit në Kuvendin e Maqedonisë u zhvillua në një atmosferë të tensionuar.
Opozita bëri zhurmë me vuvuzela dhe goditje të tavolinave gjatë fjalimeve të deputetëve të shumicës qeverisëse, si dhe pati edhe konflikte verbale dhe akuza të ndërsjella mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
Sipas listës së deputetëve të regjistruar, të drejtën e fjalës kanë edhe tre të tjerë, pas së cilës Kuvendi do të duhet të vendosë për përmbajtjen e Propozimit dhe kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE-në.
Opozita maqedonase, OBRM-PDUKM dhe Levica kërkojnë refuzimin e këtij propozimi, i cili, sipas tyre, sjell asimilim të drejtpërdrejtë të popullit maqedonas, shantazh dhe pengim shumëvjeçar të procesit të integrimit evropian nga ana e Bullgarisë.
Për dallim prej tyre, kampi qeverisës siguron se korniza negociuese ofron paprekshmëri të identitetit dhe gjuhës maqedonase dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit në ditën e parë të seancës njoftoi se me këtë propozim gjuha maqedonase qartësohet si e vetmja gjuhë e njohur dhe e pranuar për Bashkimin Evropian dhe se nuk del nga linjat e kuqe.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, edhe të enjten janë mbledhur protestues me flamuj e pankarta në duar.
Deputetëve të Maqedonisë së Veriut me një fjalim iu drejtua edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.
Ajo tha para deputetëve se “është koha për marrjen e vendimeve të mençura për ta çuar vendin drejt integrimit evropian”, ndërsa siguroi deputetët se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohet gjuha maqedonase, deklaratë kjo që u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe fishkëllima nga deputetët e opozitës.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.
Debati në Kuvend u përcoll me protesta para Kuvendit, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte ndërmarrë masa që në orët e paradites të së enjtes duke shtuar forcat e rendit përreth ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup.