Ilir Tolaj, ish-sekretari i famshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, ka konkuruar për postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Tolaj kur është pyetur nga Gazeta Insajderi.
“Po, unë jam. Është vetëm një Ilir Tolaj që bën probleme”, tha ai duke qeshur, shkruan Gazeta Insajderi.
Infektologu ka aplikuar për këtë post pasi Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka shpallur të hapur konkursin për zgjedhjen e rektorit të UP-së.
Tolaj dhe kandidatë tjerë duhet t’i plotësojë tre kushte, sipas njoftimit.
“Të ketë përvojë të dëshmuar në mësimdhënie akademike, kërkim shkencor dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt, të profesorit të asocuar ose të profesorit asistent. Të ketë përvojë menaxhuese universitare dhe të mos ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo në listë zgjedhore të ndonjë partie politike ose koalicioni në nivel qendror dhe lokal në tre vitet e fundit”.
Konkursi është shpallur pasi Naser Sahiti është shkarkuar nga pozita e rektorit të UP-së më 21 tetor 2022, ndërsa ushtruese e detyrës së rektores është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.
Kush është Ilir Tolaj?
Ilir Tolaj ishte emëruar sekretar në vitin 2007, në ministrinë e Shëndetësisë. Një vit më pas ishte marrë vendim për ndërprerjen e punës së tij, pas dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në vitin 2012, MSH-ja e kishte pezulluar nga detyra deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.
Tek në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ilir Tolaj lirohej nga akuza për pikën 1.7 të aktakuzës, për shkak se nuk ishte provuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Më 2022, Gjykata e Apelit mori aktgjykimin që ndryshoi atë të Gjykatës së shkallës së parë dhe refuzoi akuzën kundër Tolajt, për shkak të parashkrimit.
Për çka akuzohej Ilir Tolaj?
Sipas aktakuzës së ndryshuar të dorëzuar në Gjykatë, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi thuhet se kanë kryer veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”.
Në aktakuzë thuhej se Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, mes datës 26 shtator 2007 dhe 1 tetor 2007, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj.
Sipas aktit akuzues, “Jona Med”, kishte ushtruar padi kundër MSH për lejimin e dështimit të kontratës pa përmbushur detyrimet e saj nën të dhe pastaj lidhjen e kontratës me kompani të tjera farmaceutike, e kontrata kishte qenë në vlerë prej 3.8 milionë euro. Padia kishte qenë e suksesshme, e aktakuza thotë se Gjykata Ekonomike ka marrë vendim për dëmshpërblim kundër MSH në vlerë prej 1.5 milionë, përveç kostove të drejtimit të procesit të ri dhe të panevojshëm të tenderit.
Ilir Tolaj, më tutje thuhej se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, pasi i ka thënë komisionit vlerësues se cili operator duhet të zgjidhet në dy tenderë emergjentë, një tender kishte thënë t’i jepet “Koslabor” e tjetri Kompanisë Ekskluziv nga Gjilani.
Sipas aktit akuzues pronari i kësaj të fundit, Burim Shkodra kishte qenë student i Tolajt, e në lidhje me Arbenita Pajazitin pasi kjo e fundit i kishte shitur licencën e saj vëllait të Arsim Shkodrës.
Sipas akuzës, Tolaj nuk ka dëshiruar të ndërronte kontratat ekzistuese të MSH sepse dëshironte që të lëshonte kontratë të reja në interesa të veta dhe për përfitimin material të atyre me të cilët kishte lidhje financiare ose ndryshe. Kurse, Pajaziti, akti akuzues thotë se ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare pasi nuk ka deklaruar konfliktin e interesit dhe nuk është larguar nga komisioni i vlerësimit.
Tolaj dhe Pajaziti, akuzoheshin se kanë kërkuar vet e përmes Alban Pozhegut, nga Raimonda Hyseni për të nënshkruar se kinse ka marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve, kur ajo nuk kishte marrë pjesë fare. Një gjë e tillë, konsiderohet se u ka mundësuar fituesve të tenderëve përfitime materiale. Sipas akuzës, procedurat tenderuese për këto kontrata nuk kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Prokurimin Publik të 15 Janar 2004.
Tutje, në akuzë thuhej se Tolaj e Pajaziti kanë keqpërdorur pozitat e tyre në nëntor dhe dhjetor të vitit 2007, duke takuar furnizuesit në datë të ndryshme ndërmjet 15 dhe 18 nëntorit dhe duke u kërkuar furnizuesve të cilët nuk kanë mundur të furnizojnë deri më 21 dhjetor 2007, të sigurojnë garanci bankare.
Në akuzë thuhej se garancitë bankare ishin mënyrë që furnizuesit të paguhen nga buxheti financiar i vitit aktual për mallra që do të dorëzohen në vitin e ardhshëm financiar. Pajaziti, sipas akuzës, i ka thënë komisionit për pranim që të nënshkruante një deklaratë të rrejshme të pranimit të barnave nga furnizuesit të cilët nuk ishin në gjendje të furnizonin MSH para 21 dhjetor 2007.
Tolaj e Pajaziti, thuhej se kanë bërë të mundur që furnizuesit të merrnin një përfitim material, domethënë pagesa paradhënie me mashtrim, e Pajaziti thuhet se ka mashtruar Ministrinë e Financave duke i thënë Komisionit për Pranim të nënshkruajë certifikata të rreme të pranimit duke pretenduar se malli ishte marrë kur në fakt nuk kishte qenë kështu. Më tej, thuhet se kur produktet janë pranuar pas 21 dhjetor 2007, ato nuk kanë qenë në përputhje me kontratat.
Sipas akuzës, më tutje thuhej se Tolaj ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke drejtuar një fushatë për të dëmtuar “Jona Med” e këtë duke u siguruar që kjo kompani të mos fitojë asnjë kontratë nga MSH, duke dërguar inspektor dhe duke kërkuar që t’i dënojnë, duke bërë kallëzime penale dhe padi civile ndaj “Jona Med” dhe duke përdorur ndikimin e tyre për të siguruar që “Jona Med” të mos merrte licencat e importit dhe eksportit./Gazeta Insajderi/