Drejtoria e Policisë në Mal të Zi njoftoi për arrestimin e një personi, i cili u përpoq të kontrabandonte rreth 40 kilogram marijuanë nga Shqipëria në Mal të Zi.
Policia malazeze, bënë të ditur, se njësitë e policisë kufitare së bashku me oficerët e njësisë së lëvizshme të Podgoricës, kryen disa ditë aktivitete vëzhgimi dhe arrestuan shtetasin shqiptar M. B. (26) nga Shkodra.
“Ky person u kap në përpjekje për të kontrabanduar drogën narkotike marijuanë me peshë rreth 40 kilogramë. Dyshohet se me të ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët e hodhën lëndën narkotike dhe u larguan në drejtim të Republikës së Shqipërisë ”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Policisë së Malit të Zi.
Materiali i sekuestruar dhe personi i arrestuar iu dorëzuan Qendrës së Sigurisë nëPodgoricë për juridiksion të mëtejshëm.
Policia malazeze, kohëve të fundit, në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marijuanë, e cila transportohet në format më të ndryshme drejt Malit të Zi.
Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi dhe Evropës.