“Takimi i djeshëm midis Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit në Bruksel ishte krejtësisht ndryshe nga të gjitha rastet e mëparshme për të biseduar me përfaqësuesit e Prishtinës”, ka thënë ministri i jashtëm serb Nikolla Sellakoviq për Euronews Serbia.
Ai ka pretenduar se “përfaqësuesit e Prishtinës treguan mungesë serioziteti dhe se ata nuk ishin të interesuar të përmbushin detyrimet që Prishtina kishte marrë gjatë viteve të kaluara”.
Sellakoviq gjithashtu ka thënë se Borrell dhe Lajçak treguan një qasje konstruktive.
“Këtë herë institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes u përfaqësuan nga z. Kurti së bashku me zëvendësin e tij. Ne patëm mundësinë të shohim se në të vërtetë nuk mund të pajtohemi me ta për pothuajse asgjë. Ata thonë se gjithçka që ka ndodhur para tyre nuk iu intereson dhe nuk ka rëndësi për ta, që do të thotë se ata nuk janë të interesuar të punojnë në realizimin e detyrimeve që përfaqësuesit e Prishtinës kanë ndërmarrë viteve të kaluara dhe të cilat presin të përmbushen”, ka thënë Nikolla Sellakoviq, duke shtuar se në radhë të parë mendon për Asociacionin e Komunave Serbe.
Mirëpo, thotë se ka mundur të dëgjojë një sërë propozimesh tjera, të tilla si Këshilli i Pakicës Serbe në Kosovë, për të cilat thotë se nuk di se si t’i komentojë.
Kur bëhet fjalë për çështjen e të zhdukurve, Sellakoviq tha se kur përfaqësuesit e BE thanë se ishte arritur një marrëveshje, “përfaqësuesit e Prishtinës thanë se ata nuk dëshironin që Kryqi i Kuq të ishte ndërmjetës dhe Kurti e quajti Velko Odalloviqin “Goebbels dhe Goering”./Insajderi.org.