Sarandë Selimi
Nga 1,595 deri në 2,462 euro, është kostoja e barërave dhe analizave që do t’i kushtojnë një pacienti të prekur me COVID-19 në Kosovë. Sipas Odës së Farmacistëve të Kosovës, këto çmime pamundësojnë që pacientët të marrin terapinë adekuate për shërim nga ky virus, teksa personeli shëndetësorë shpeshherë improvizon këtë terapi për shkak të kostos. Ankesa për këto çmime kanë pranuar edhe në Shoqatën e Pacientëve të Kosovës, teksa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se trajtimi në shtëpi është më i lirë se ai spitalor.
Mbi 1595 euro, po i kushton një pacienti me Covid-19, trajtimi privat i këtij virusi në Kosovë. Barërat që vendi ka në dispozicion për luftimin e kësaj pandemie, kanë një kosto shumë të lartë, e të papërballueshme për xhepin e një qytetari kosovar.
Remdesiviri, Favira, Fraxiparini, Citerali, Linezoolidi, dhe vitaminat e tjera, janë në listën e barërave që përdoren për shërimin e Covid-19, teksa në këtë listë hyjnë edhe analizat e CT, që duhen bërë për të kontrolluar virusin.
Vetëm një ampulë që është për trajtimin e koronavisurit, kushton 200 euro, e që i bie të jetë sa një pagë mesatare në institucionet private në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo ampulë (Remdesiviri), që zakonisht rekomandohen 6 deri në 10 nga to për secilin pacient me COVID-19, do t’i kushtojë një qytetari rreth 1,200 deri në 2,000 euro, totali. Pas kësaj, për trajtimin e Covid-19, janë edhe një sërë barërash të tjera që jepen me recetë të mjekut.
Përveç Remdesiviri, një recetë e dhënë nga mjeku është e përbërë edhe nga Favira (hap antiviral) rekomandohet 1 kuti e cila kushton 80 euro 200mg, po ashtu për mos-trashjen e gjakut jepet edhe Fraxiparini ( trajtimi 1-3 javë) ku 0.4ml kushton 3.50 euro ndërsa 0.6 ml kushton 4.50 euro, Linezoolidi (një dozë) antibiotik që kushton 50 euro dhe krejt në fund pa vitaminat dhe suplementet e tjera të futura në këtë listë, është edhe Citerali (antibiotik 1 ose 2 kuti deri në shërim) ku vetëm një copë kushton 1.20 euro.
Këto çmime dallojnë nga farmacia në farmaci, ndërsa secili pacient i infektuar me Covid-19, duhet të llogarisë edhe analizat e gjakut të cilat nëse bëhen dy herë kushtojnë të paktën 100 euro ndërkaq një CT do të kushtojë nga 70 deri në 100 euro, edhe kjo zakonisht rekomandohet të bëhet dy herë.
Të gjitha këto barëra e analiza janë për një pacient me gjendje mesatarisht të rëndë me COVID. Ndërsa në raste më të rënda secili pacientë mund të ketë nevojë edhe për terapi specifike me kosto shumë më të lartë.
1,595 e deri në 2,462 euro do t’i kushtojë vetëm një pacienti ky trajtim. Po sikur një familje katër anëtarësh të infektohet me këtë virus, atëherë kostoja do të katërfishohet, dhe padyshim që do të jetë e pamundur përballimi i kësaj shume.
Kryetrari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka treguar për Gazetën Insajderi, në detaje se çfarë përfshihet në trajtimin e Covid-19.
Ai po ashtu, ka thënë se kostoja e pacientit rëndohet, duke qenë se disa nga analizat e ndryshme biokimike dhe hematologjike si dhe radiografitë si rentgen, CT, nuk kryhen në institucione publike, por vetëm në ato private.
“Për shembull, remdesivir 6 ampulla nga 200 euro (1200 euro), terapia me antibiotik mund të jetë 10 deri 100 apo 200 euro (varësisht nga lloji dhe gjendja mund të jetë edhe më e lartë në raste të rënda), vitaminat, mineralet e suplemete tjera 50 euro, analizat e gjakut nëse bëhen dy herë të paktën 100 euro, CT 70 – 100 euro etj. Në raste të rënda mund të ketë nevojë edhe për terapi specifike me kosto shumë më të lartë”, ka treguar Jakupi për Insajderi.
Jakupi, ka thënë se duke qenë se kjo kosto është e papërballueshme për qytetarët, sipas tij, do të ishte shumë me rëndësi që Ministria e Shëndetësisë, të thërriste komisionin për hartimin e listës së barnave esenciale dhe produktet më të nevojshme për COVID-19, të ishin të përfshira në këtë listë.
Kjo sipas kryetarit të Odës së Farmacistëve të Kosovës, është mëse e nevojshme, pasi që, ai ka treguar se ka raste që pacientët tregojnë që nuk kanë mundësi për këtë terapi, dhe që personeli shëndetësorë duhet të improvizojë me protokolle të trajtimit.
“Kjo do ta bënte më të lehte situatën jo vetëm për pacientët por edhe për personelin shëndetësor që shpeshherë përballen me situata kur pacientët nuk kanë mundësi të blerjes së terapive dhe në raste të tilla pastaj duhet të bëhen improvizime të protokolleve të trajtimit”, ka theksuar ai.
Moszbatimi i Udhëzimit Administrativ, ndikon në çmime të ndryshme të barnave nëpër farmaci
E që çmimet e barnave të jenë njësojë në secilën barnatore, duhet të hyjë në fuqi, Udhëzimi Administrativ i cili përcakton kriteret apo metodologjinë e përcaktimit të çmimeve për produkte (dhe pajisje aty ku është e domosdoshme), nga lista e barnave esenciale, qoftë atyre që janë pjesë e furnizimeve për institucionet publike shëndetësore (LBE-A), apo atyre që janë të riumbursuara nga ana e FSSH-së (LBE-B).
Në lidhje me këtë, Jakupi, ka ngritur sërish çështje për zbatimin e këtij udhëzimit administrativ.
Ai ka treguar se për shkak të moszbatimit të këtij udhëzimi, në barnatore të ndryshme gjejmë çmime të ndryshme të këtyre medikamenteve, e që kjo nuk ka të bëjë vetëm me ato të COVID.
Kryetari i OFK-së ka thënë se ministri i Shëndetësisë duhet të marr të gjitha masat obligative për zbatimin e këtij udhëzimi.
“Duhet të merren të gjitha masat për zbatimin e këtij udhëzimi sepse deri më tani nuk kemi parë veprime në drejtim të zbatimit, përveç kërkesës për plotësim-ndryshim të udhëzimi gjë që sipas nesh në OFK nuk do të duhej të ndalte zbatimin e udhëzimit aktual. Ky mosrregullim i çmimeve jo vetëm që ka për pasojë ndryshimet në çmime por edhe çmimet e larta edhe për terapitë që përdoren si antiviral për COVID si Favipiravir dhe Remdesivir apo edhe për barnat kronike me një rritje e cila përllogaritet se shkakton humbje për qytetarët rreth 1 milion euro në muaj”, ka treguar ai.
Ankesa për çmimet e barërave anti-Covid, ka pranuar edhe PRAK
Nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës (PRAK), drejtori Bekim Kodra, i ka thënë Gazetës Insajderi, se së fundmi ka pranuar një mori ankesash në lidhje me këto çmime. Kodra ka treguar se këto çmime janë jashtëzakonisht të shtrenjta për standardin e qytetarëve të Kosovës.
“Kemi pranuar ankesa nga pacientët dhe çmimi është goxha i lartë. Varësisht nga simptomat që shfaqë pacienti dhe problemet shëndetësore që i ka, ashtu shkon edhe kosto e trajtimit të tij. Mungesa e barnave për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në institucionet shëndetësore paraqet një shkelje të të drejtës së pacientit për qasje në shërbime shëndetësore që shteti obligohet t’i ofrojë. Kjo më së shumti i godet shtresat vulnerabile të shoqërisë sonë”, ka thënë Kodra për Gazetën Insajderi.
Në lidhje me krejt këto, Gazeta Insajderi, ka marr edhe një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre, është evidente se COVID-19, përveç aspektit shëndetësor ka sjellë vështirësi edhe sociale dhe ekonomike. Ndërkaq, po sipas tyre, trajtimi në shtëpi është më i lirë se ai spitalor.
“Të prekurit me Covid, të cilët trajtohen në shtëpi, kryesisht mbështesin vet tretmanin e tyre, por që për fat tretmani shtëpiak është më i lirë se ai spitalor. Sipas ligjeve në fuqi, MSH është e obliguar që terapitë që i siguron, t’i dërgojë në institucione shëndetësore dhe aty ato administrohen për pacientët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, teksa tutje ata këshillojnë qytetarët që të mos bëjnë vetëmjekim, por për çdo terapi të konsultohen me mjekët.
“Ta përdorin vetëm atë terapi që ua ka caktuar mjeku, sepse vetëmjekimi mund të jetë i gabuar dhe të krijojë shpenzime, pa dobi për shëndetin”, përfundojnë nga MSH.
Shifrat e fundit të të prekurve me COVID-19 në Kosovë, janë alarmante. Madje edhe numri i viktimave gati sa s’ka arritur tek 1 mijëshi.
Vetëm sot në Kosovë, janë raportuar gjithsej 688 raste të reja me COVID, shifër kjo që qon në 11.431 raste aktive. Viktima gjatë 24 orëve janë raportuar gjithsej 11, shifër kjo që qon 833 viktima në total nga fillimi i pandemisë në mars./ Insajderi.org