Kosova vizitohet sot nga zyrtarët e lartë të ShBA-së dhe Gjermanisë   – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova vizitohet sot nga zyrtarët e lartë të ShBA-së dhe Gjermanisë  

    Insajderi
    13 April 2017 - 07:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Senatori amerikan, John McCain, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. Ai pritet të takojë liderët e institucioneve dhe partive politike.

    Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë me dije se senatori amerikan do të nderohet me çmimin “Urdhri i Lirisë”.

    Ky çmim, senatorit McCain i ndahet për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, që për Kosovën konsiderohet “aleat i përjetshëm”.

    McCain do të takohet edhe me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

    Po ashtu, McCain pritet t’i drejtohet me një fjalim Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet në një seancë solemne pikërisht për senatorin amerikan.

    Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.

    Gjatë vizitës në Sarajevë, McCain ka thënë se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës.

    Kurse, gjatë qëndrimit në Beograd, ku ka takuar presidentin e ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, McCain ka deklaruar se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është e rëndësisë jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

    “Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”, ka thënë McCain në Beograd.

    Po ashtu në Kosovë për një vizitë zyrtare do të jetë edhe ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

    Ministri Gabriel gjatë qëndrimit në Prishtinë, do të takojë ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, si dhe kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, me të cilin do të ketë konferencë për media.

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark