
Themelimi i Asociacionit si njëlloj autonomie territoriale është problem në vetvete, thotë Filip Balunoviç nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd, në një intervistë për mediat kroate “Slobodna Dalmacija”, raporton Insajderi.
Është problematike në rend të parë, thotë ai, sepse kjo të jep shijen e bërjes pazar me territore e jo zgjidhje për njerëz, duke rikujtuar se numri më i madh i serbëve është në pjesën jugore.
“Duhet zgjidhje afatgjate, në mendimin tim, kjo nuk duhet të shkojë vetëm në integrimin e serbëve në institucione të Kosovës, por në shoqërinë kosovare, dhe atë pavarësisht statusit të tyre në Kosovë në kuptimin ligjor ndërkombëtar”, vlerësoi ai.
Balunoviç zgjidhjet e këtilla çfarë po synohet i sheh hiç më pak se “ndarje”.
Balunoviç thotë se ndonëse ka shumë mospajtime me vlerësimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në pikën e kundërshtimit të Asociacionit njëetnik, ai ka të drejtë.
“Asociacioni nuk do të zgjidhë asgjë”, i tha ai medias kroate, përcjell Insajderi.
Pyetur se a është propozimi franko-gjerman “merre ose lëre”, ai thotë se për Serbinë do të ishte e logjikshme që Perëndimi t’i ofrojë garanci të përshpejtimit të anëtarësimit në BE.
“Mendoj se kjo do t’ia lehtësonte punën ndjeshëm Vuçiqit sepse gjatë 10viteve, gjersa ishte në pushtet, ai ia doli të bartë një pjesë të madhe të së djathtës, e cila ishte euroskeptike kur ai ishte radikal, jo në një anë eurofile, por që të pranojnë tezën se interesi kombëtar i Serbisë është anëtarësimi në BE”, vlerësoi ai./Insajderi/