Serbët e Kosovës: Vuçiqi na bën Asociacionin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbët e Kosovës: Vuçiqi na bën Asociacionin

    Insajderi
    03 April 2017 - 08:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Zot ndihmo që Vuçiq të bëhet president”. Sikur kjo lutje të cilin e bëri një murgeshë serbe para se ta hidhte votën e saj ka pasur edhe shumë të tjera në shkollën “Krajl Milutini” në Graçanicë.

    Mbështetja ndaj kryeministri serb ishte e hapur dhe pothuajse publikisht e deklaruar në mesin e serbëve të kësaj komune. E në shtatë sallat e kësaj shkolle qytetarët serbë të Prishtinës, Graçanicës, Novobërdës, Hajvalisë, Bërnicës së Poshtme dhe të Epërme, Badocit dhe fshatrave tjera të rajonit të Prishtinës kishin nisur votimin qysh në orën 07:00 të mëngjesit të së dielës, kur edhe u hap ky vendvotim.

    Shpresat në mesin e tyre për kushte më të mira jetese ishin të larta.

    “Presim që pas këtyre zgjedhjeve institucionet e Serbisë të interesohen edhe më shumë për ne që jetojmë në Kosovë”, ka thënë 35-vjeçarja Mira nga Graçanica.

    Publikisht mbështetjen për kryeministrin serb, i cili aspiroi të bëhet president, nuk e fshehu as Milani, i cili pret që së shpejti të themelohet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    “Aleksandër Vuçiq duhet dhe do të jetë presidenti i ri i Serbisë. Si kryeministër ai ka bërë shumë për ne serbët që jetojmë në Kosovë. Tani do të bëhet edhe Asociacioni i Komunave përmes të cilit ne do të arrijmë që t’i konkrezitojmë nevojat tona në një nivel tjetër. Ai nuk ka kundërkandidat”, ka thënë ai.

    Ndërkohë edhe pse po mbaheshin zgjedhjet serbe, brenda shkollës po respektohej marrëveshja që ishte arritur mes OSBE-së dhe zyrtarëve në Prishtinë. Asnjë flamur apo simbol serb nuk shihej në klasat në të cilat votohej.

    E në Graçanicë pati edhe të atillë që nuk votuan fare. 50-vjeçari Radovani, i cili po qëndronte ulur në stolin e oborrit të shkollës ku po votohej, kishte vetëm ankesa. Madje, ai u thoshte edhe bashkëqytetarëve të tij që të mos votojnë.

    “Pse po votoni? A nuk u ngopët me gënjeshtra? Të gjitha janë gënjeshtra. Asgjë nuk do të përmirësohet për ne”, thoshte ai.

    Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë se me organizimin e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës po tregohet se qytetarët serbë po detyrohen ta zgjedhin lindjen e jo perëndimin.

    “Edhe me rastin e zgjedhjeve të sotme në Serbi Kosova është ajo që do të ndikojë shumë që Serbia të mbetet më shumë Lindje e të bëhet më pak Perëndim”, ka thënë Abudllahu për Zërin.

    Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale në Kosovë, Besnik Tahiri, ka thënë se heshtja e institucioneve kosovare karshi mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë e zhvlerëson shtetësinë e Kosovës. Sipas Tahirit, heshtja është pranim i këtij realiteti të pakuptimtë.

    “Votimi i lirë për president të Serbisë në Republikën e Kosovës pa leje dhe pa dakordim e zhvlerëson shumë shtetësinë tonë. Mosreagimi, heshtja dhe në njëfarë forme pranimi i këtij realiteti për mua është i pakuptimtë”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka shtuar se kjo qasje po ashtu e vërteton se serbët e Kosovës janë peng i politikave të verbra dhe mendësisë primitive të politikës së Beogradit.

    Ndwrkaq, numri më i vogël i votuesve në zgjedhjet presidenciale në Serbi është regjistruar në komunat e Preshevës dhe të Bujanocit. Në këto dy komuna ku kanë të drejtë vote rreth 80.000 qytetarë në disa vendvotime nuk është regjistruar as edhe një votues.

    Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori norvegjez, Jan Braathu, ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ka vizituar një qendër të grumbullimit të votave, në kuadër të procesit të zgjedhjeve presidenciale serbe.

    Me bindjen se Vuçiq nga sot do të jetë president i Serbisë, serbët e veriut të Kosovës por edhe ata në anë të ndryshme të vendit iu kanë qasur kutive të votimit në 21 qendra me 90 vendvotime në të gjithë Kosovën, të dielën.

    Në mesin e 11 kandidatëve për president të Serbisë: Sasha Jankoviq, Vuk Jeremiq, Mirosllav Paroviq, Sasha Radulloviq, Luka Maksimoviq, Aleksandër Vuçiq, Boshko Obradoviq, Vojisllav Sheshel, Aleksander Popoviq, Milan Stamatoviq dhe Nenad Çanak, për serbët nuk ka asnjë kandidat tjetër serioz për ta drejtuar Serbinë në 5 vitet e ardhshme, përveç Vuçiqit, për të cilin thonë se është i vetmi që mund të përballet me situata që krijohen dhe të cilat di t’i zgjidhë në mënyrën më të mirë, gjithmonë në interes të popullit serb, posaçërisht të atij në Kosovë.

    “Është nder për të votuar për president të Serbisë në Kosovë e Metohi. Kemi nderin që Serbia përsëri organizon zgjedhje për president në territorin e Kosovës. Presim një të nesërme më të mirë, perspektivë dhe siguri. Presim punë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për ne. Këtë mund ta bëjë vetëm Vuçiqi, i cili që tani është president i Serbisë”, shpreheshin ata.

    Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane Serbe, pret që presidenti i Serbisë të zgjidhet në raundin e dytë.

    “Nga presidenti i ri pres që t’i forcojë lidhjet institucionale në mes të Beogradit dhe serbëve të Kosovës”, ka thënë Trajkoviq.

    Ndryshe, nga gjithsej 90 vendvotime në gjithë Kosovës, 30 prej tyre janë në komunat veriore të Kosovës, respektivisht 11 në veri të Mitrovicës, 7 në Zveçan, 7 në Zubin Potok dhe 5 vendvotime në Leposaviq. Numri i serbëve që kanë pasur të drejtë vote në veri është 15.137 qytetarë. Nga ana tjetër, Serbia ka në evidencë 1.7 milion banorë në të ashtuquajturën “Autonomna Pokrajina Kosovo i Metohija” (Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë”, por të drejtë vote në gjithë Kosovën kanë pasur 105 mijë qytetarë.

    Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë raportuar për votim të qetë dhe pa probleme edhe në mjediset tjera në jug./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark